Ishim në shpi, tue hangër darkë. Veç kur thanë: «Hynë te kojshitë. Hynë e po marrin burra e djem të rij». S’kemi ditë gja, veç kur hynë edhe te na. Burri mule me u ikë për dritare. E vranë. Katër veta shprazën automata. Tue e gjuejtë, ma vranë edhe çikën. Ngat babës së vet kish qëllue. Mue më morën tue më ngrehë për flokësh. Ngreh e ngreh, zhag për tokë. Më futën në nji xhip e më çuen në stacion të policisë.
Aty filluen. Në stacion. Mbas nji kohe kur… kur e kryen ata… u çuem. Mbas katër orësh. Më lëshuen. Po, kah me ia mbajtë, kah me shkue? Qysh m’u kthye n’atë shpi, që m’u kish ba vorri i burrit, i çikës.
E robi si asht ma, a e ke pa? Si te nana që gjen mirë, nuk gjen kurrkund. E t’u nisa me shkue te nana. Kur mbërrij, krejt bijat aty.
Nana:
-Çka të ka gjetë? Çka je ba kështu?
Në fillim s’deshta me kallxue çka më kish ba vaki. As te shpia, as për… në stacion. Çka me i tmerrue edhe ma shumë këta? Po nana:
– Çka krisi mori në mahallën tuej?
Qaty më ka ra të ligët. U çue vllau, ma hoq të ligtit. Nisi unë po kallxoj, kadale, burrin, çikën qysh m’i vranë.
E, s’kemi ditë gja, veç kur të na erdhën edhe te vllau. Vllaun e lidhën, tue e rrehë e qitën. As s’e kena pa, as ditë ma gja për te s’kena. Deri mbas lufte. Të na hynë mandej e po na marrin me bija. Nanën e rrehën. Para syve tonë ia kanë ba.
– O kuklla! Kqyrni, kqyrni, se edhe juve kemi me jua ba njisoj! – na thojshin në sërbisht.
Na ngarkuen në kamion, e mandej, me kunatë, me halla, me teze, me çka qëlluem aty, na bájshin; sa andej, sa këndej.
E të na çuen te njifarë vendi, ish aty nji… shkollë ish, po e kishin ba stacion të policisë. Herë i thojshin shkollë, herë stacion. Na kanë marrë rend. Si sot më kujtohet – nji kallaballëk gra. Tap, e tap, e tap. Rend. Këtyne grave që nuk i lejshin, e nxirrshin thikën e iu sulshin.
Krejt trupin shenja thikash e kam. Krejt. Deri s’mujta me i ba ma ballë kurrnji sendi. Kur i shihsha motrat, kunatën, tezen, çikat e vllazënve, u lutsha: o Zot i madhi, le të na vrasin para se me na ba çka po na bajnë.
Aty, njani hyn e tjetri dil, njani hyn e tjetri dil, si të çmendun. Njani Jovan, e thirr tjetrin Jovan, e tjetrin prap Jovan.
Qitshin raki, qitshin ujë, edhe dofarë gjylpanash na i bajshin… Tash e di çka ishin ato. Atëherë s’e disha. Qai, njani prej qatyne Jovan që i thojshin:
– Po ju japim me ju forcue! – se na pa hangër, pa pi, kurrë hiç kurrgja.
Kur e kishin krye atë punën e vet, qata ujë na e rrasshin me shishe në gojë, se na u pakshim prej keqtrajtimeve.
Prap na ngarkuen në kamion Mbas do ditësh. Lidhë kambë e duer, qashtu të përgjakta. Ka dy veta na ngjitshin me na shtie në kamion, se trohë takati s’kishim me lëvizë. Pesëmbëdhetë kile pata ra.
Tue na hypë, po i pyesin do tjerë ndër ta:
– Kah këto, për kah?
– Për Zveçan p’i çojmë, se po i lypë Arkani!
*********************************
Kjo është njëra nga rrëfimet dhe dëshmitë të një gruaje të dhunuar gjatë luftës së Kosovës.
Rrëfimi i 7-të nga Lola botuar nga dëshmitë e gjata në librin “Unë dua të dëgjohem”
“Unë dua të dëgjohem”, është libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë”
Fuqizuar nga: Integra, forumZFD, KRCT, RBF, MOTT, BMZ, UN Women
Publikuar nga Integra, forumZFD – (Forum Civil Peace Service / Forum Ziviler Friedensdienst e.V), Prishtinë 2017.
Ky libër krahas 2 librave tjerë është paraqitur nga Kryeministri i Republikës në takimin e radhës përgjatë bisedimeve në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Librat kanë të bëjnë me historinë e dhimbshme të shqiptarëve nëpër etapa të ndryshme.
1. Muhaxhirët -Dosja Britanike për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit
2. Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” (Once Upon a Time and Never Again), histori dhe fotografi që kujtojnë fëmijët e vrarë në luftën në Kosovë.
3. “Unë dua të dëgjohem”, libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë”.
Duhet menduar që KM është dashur librin të ju jep njëherë secilit shqiptar që është mbi 18 vjeç, e tek pastaj të del jashtë kufijve e të ju ndaj personaliteteve botërore, përfshirë edhe serbët.
Shqiptarët duhet të njohin historinë e vet, dhe si rrjedhojë e kësaj duhet të ndajnë dhimbjen me ata që tashmë këto gjëra i kanë përjetuar, dhe janë dëshmi e gjallë që jetojnë në mesin tonë.
Nuk bën edhe shumë të qash për të tjerët, kur përjetimet dhe ndëshkimet përgjatë luftës me barbarët serb i kemi më të tmerrshme se Kroatët, Sllovenet, Boshnjakët.
Duhet lexuar, sepse shkencërisht është vërtetuar që do të rrisni aftësinë tuaj për të ndjerë EMPATI.
____
ESH
____________
publikime.com
[PS: Empatia, është aftësia për të kuptuar ose ndjerë atë që një person tjetër po përjeton, domethënë aftësia për ta vendosur veten në pozicionin e tjetrit.]