Zgjohesh në kohën e zakonshme, të një dite të zakonshme, ora 7 e mëngjesit.
Kryen procedurat e mëngjesit që duhet t’i kalojmë të gjithë, flokët, dhëmbët, kremrat, fytyrën.
Dhe derisa vë ujin në aparatin e kafesë për ta pirë në mëngjesin e një dite të zakonshme, ndez TV-në, lëshon njërin nga kanalet për të përcjellë programet e mëngjesit, pastaj fillon të përgatitesh duke veshur garderobën.
Veç, kur vëren se të gjitha pajisjet që ishin ndezur u fikën.
Ikën dritat.
U ndal rryma!
Dihet!
Si u bë që në këtë vend kurrë asnjëherë të mos mundesh ta shijosh të njëjtën ditë si një ditë më parë?
Ajo dita e zakonshme me ditët e tjera, ndryshon!
Të mbetet kafja, shpeshherë edhe çaji, i gjelbër normalisht, pa i pirë, duke mos ditur as pse u ndal rryma e as pse s’ka drita në këtë mëngjes.
Merr e del në ballkon për ta qetësuar pak trurin.
Zhurma e agregatëve kishte filluar!
Më shkoi mendja…
Si ndihen këta që po premtojnë nëpër fushata sigurime shëndetësore, ujë të pijshëm, drita (nejse, për drita s’po guxojnë më të premtojnë 24 orë), stadiume e sa e sa premtime të tjera që po jepen këto ditë!?
Rrymë s’po kemi në mëngjes, halo!
Dhe mungesa e rrymës, përveç që po na prish një fillim të një dite të re e të zakonshme, po bën që politika të na e japë mesazhin që në orët e hershme të mëngjesit!
Dihet, a?
