Gjilani është për t’u dhimbsur, jo për shkakun se nuk ka njerëz, intelektualë e profesionistë, njerëz të devotshëm dhe të përkushtuar ndaj qytetit, por për shkakun se pothuajse gjithmonë ka pasur një udhëheqje jo të denjë, amatore dhe jo largpamëse, e cila më shumë u ka sjellë dëme qytetarëve sesa dobi.
Gjithmonë, Gjilani është njohur për njerëz të urtë e të mençur, por në të shumtën e rasteve të lënë anash nga vetë qyteti i tyre.
Pothuajse gjatë gjithë periudhës pas luftës, Gjilani ka pasur një qeverisje që është karakterizuar nga politika të ngushta dhe jo largpamëse.
Secili subjekt politik që ka qeverisur me qytetin ka hartuar plane zhvillimore, ka bërë premtime dhe ka folur për vizione të mëdha, por në përgjithësi rrallëherë i është ofruar qytetit një zgjidhje e mirëfilltë për problemet që e kanë përcjellë ndër vite.
Gjilani është për t’u dhimbsur edhe për faktin se shumë profesionistë dhe intelektualë të fushave të ndryshme e kanë gjetur veten jashtë tij.
Kryesisht në Prishtinë, të përfshirë në institucione shtetërore, ushtarake, policore, mjekësore, shkencore e gjyqësore, urbanista e arkitektë, si dhe në kompani të mëdha private e organizata ndërkombëtare, duke filluar nga UNMIK-u, EULEX-i, OSBE-ja, IRC-ja, KFOR-i, ambasadat e shumë institucione të tjera.
Pra, nuk është se këta profesionistë dhe intelektualë nuk kanë dashur ta shohin qytetin e tyre të zhvilluar.
Përkundrazi, shumë prej tyre do të donin të kontribuonin në vendlindjen e tyre, por asnjëherë nuk u është dhënë mundësia. Shpesh janë etiketuar, përçmuar e anatemuar në forma pezhorative, deri në atë masë sa një gjilanas e kishte më të lehtë të gjente hapësirë, punë dhe vlerësim jashtë qytetit të tij sesa në qytetin ku kishte lindur.
Është për t’u dhimbsur edhe për faktin se secila qeveri që ka ardhur në pushtet është sjellë rreth një hapësire prej rreth 300 metrash të qytetit.
Njëra prishte disa lisa të vjetër dhe ndërtonte një rreth. Tjetra shtonte disa rrethe të tjera apo disa korsi për makina.
Por të gjitha silleshin rreth të njëjtës hapësirë, qendrës së qytetit.
Një hapësirë që nuk i kalon as 300 metrat dhe ku është përqendruar pothuajse i gjithë fokusi për të treguar se po qeveriset qyteti. Hiqe njërën, shtoje tjetrën, por gjithmonë në të njëjtin vend.
Një projekt i mirë që është realizuar dhe që nuk duhet anashkaluar ishte mbulimi i lumit Mirusha, i cili më shumë ngjante me një kanal ujërash të zeza sesa me një lumë.
E njëjta logjikë qeverisëse vazhdon edhe sot.
I gjithë fokusi mbetet i përqendruar në këtë hapësirë prej rreth 300 metrash.
Ndërkohë që qytetet e tjera të Republikës kanë zgjeruar perimetrin urban, kanë krijuar sheshe e hapësira të reja publike, Gjilanit vazhdon t’i preket e vetmja hapësirë gjelbërurse që e ka karakterizuar dhe që ka tërhequr vizitorë nga qytete të tjera.
Qytetarëve pothuajse u është bërë monotone jeta me këtë qytet.
Çdo vit ka punime të reja që, përveçse sjellin trafik të rënduar, krijojnë pluhur gjithandej, duke e bërë qytetin më të papastër dhe më pak funksional.
Një qytet ku secila qeveri që ka ardhur në pushtet rrallëherë ka vazhduar projektet e nisura nga paraardhësit.
Shumë prej tyre kanë mbetur si gërmadha, ndërsa janë nisur projekte të reja, të cilat ka shumë gjasa që as qeveritë e ardhshme të mos i përfundojnë.
Në këtë mënyrë, qyteti vazhdon të mbetet peng i projekteve të papërfunduara, i eksperimenteve politike dhe i mungesës së një vizioni afatgjatë.
Është për t’u dhimbsur Gjilani, jo për ndonjë arsye tjetër, por sepse dikur kishte një nam të madh dhe një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor.
Sot, megjithatë, realiteti po tregon një pamje krejt tjetër.
Pluhur verës. Baltë vjeshtës!
___

