• Wed. May 27th, 2026

Publikime

by Emrush T. Shkodra

Në mes të sulmit serb në Banjskë dhe politikës së gabuar të qeverisë së Kosovës

ByEmrush

Sep 25, 2025

Analizë

Në sulmin terrorist të organizuar nga autoritetet serbe në Banjskë, Kosova në vend që ta shënonte si progres faktin se sulmi u zbulua dhe Serbia u nxu në flagrancë me sulmin që ishte drejtuar kundër Republikës sonë, ne çaluam në hapa dhe në mos kordinim me bashkesinë ndërkombetare.

Duhet ta dinim se, sado të fortë të jemi brenda kufijve tanë, jashtë tyre nuk kemi asnjë fuqi apo ndikim real. Serbia arriti përmes politikës së saj ta relativizojë ngjarjen dhe ta paraqesë me narrativën “të gjithë janë njësoj” dhe “me të gjithë mirë”.

Për dy vite radhazi, politika kosovare ka dështuar si tërësi, pavarësisht faktit se bashkësia ndërkombëtare ishte e gatshme të krijonte edhe një komision për hetimin e Serbisë e më pas gjykimin e saj për terrorizëm ndaj një shteti.

Por në vend të kësaj, falë një politike të pamatur ndaj bashkësisë ndërkombëtare, ne kemi shkuar në regres dhe tashmë vendi është futur në një izolim të plotë.

Republika jonë është privuar nga mbështetja financiare, janë ndaluar vizitat në institucionet e shtetit, dhe zyrtarët tanë takohen me ndërkombëtarët në kafene e restorante, jo në institucione.

Situata është bërë edhe më e rrezikshme me aleatin tonë kryesor Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, duke e arsyetuar me veprimet e qeverisë sonë.

Kosova nuk ftohet më në samite ndërkombëtare, dhe kur ndonjëherë ftohet, liderët tanë bëjnë foto diku në korridore e më pas ua servirin qytetarëve si takime me personalitete të rëndësishme. Ndërkohë, në rrjetet sociale të këtyre personaliteteve nuk figuron asnjë njoftim për takime me udhëheqësit tanë.

Krejt ky izolim vjen si pasojë e mosrespektimit të vendimeve të gjykatave tona institucione që vetë i kemi krijuar.

Pas çdo marrëveshjeje ndërkombëtarët kanë kërkuar që ato të dërgohen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Ne jo vetëm që nuk i dërgojmë, por edhe kur gjykata merr vendim, qeveria nuk e respekton.

Në fund, ne e gënjejmë veten me lavdërime dhe krekosje të ndërsjella, sikur ndërkombëtarët nuk mund të na përzihen në punët tona të brendshme.

Fakt. Me u përzi nuk mundet, veç me na izoluar munden. Dhe kjo po ndodh!

Në Kosovë piskamat bëhen për pushtet, jo për shtet.

By Emrush