Shpesh dëgjojmë thirrje për ndryshim, ankesa për qeverisje të dobët, zgjedhje të gabuara dhe vendime të padrejta që prekin çdo qytetar të këtij vendi. Por pyetja që pak kush e bën me sinqeritet është: a jemi ne si shoqëri të përgatitur për një sistem të shëndetshëm politik dhe ekonomik?
A jemi të arsimuar???
Nëse i shikojmë shifrat, përgjigjja është alarmante.
Shënimet zyrtare të Bashkimit Evropian tregojnë se në hapësirën e BE-së, mesatarisht 43% e popullsisë së moshës 25–64 vjeç ka të përfunduar së paku një diplomë Bachelor.
Disa vende si Irlanda, Luksemburgu, Lituania apo Qipro e kalojnë masën prej 50%, ndërsa më pak të zhvilluarat si Italia apo Rumania lëvizin në nivelin 20-30%.
Po Kosova?
Sipas raportit të BE-së për vitin 2021, vetëm 32.3% e të rinjve kosovarë (30-34 vjeç) kanë përfunduar arsimin e lartë.
Dhe kjo do të mund të konsiderohej statistikë e pranueshme — nëse nuk do të përballeshim me të vërtetën tjetër: vetëm 6.72% e popullsisë së moshës 25-64 vjeç në Kosovë kanë diplomë Bachelor ose më lartë.
Ky është një tregues dramatik.
Në Zvicër, një nga çdo katër persona të moshës 25–64 vjeç ka përfunduar një Bachelor, ndërsa kur përfshihen edhe Master dhe Doktoraturat, përqindja shkon në afër 44%.
Në mesin e brezave të rinj, mbi 50% kanë arsim të lartë.
Dhe nëse ne, edhe për 50 vjet do të vazhdojmë me këtë ritëm të arsimimit, nuk do të arrijmë nivelin e edukimit të Evropës, as të rajonit, e lëre më të vendeve si Zvicra.
Prandaj, mos u çuditni pse votohet keq. Pse vendimet janë të dobëta. Pse politika është e mbushur me militantizëm dhe interes të ngushtë.
Sepse realisht, ky është reflektim i edukimit që kemi. Shoqëria me 6.7% arsim të lartë, nuk mund të prodhojë më shumë se kaq.
Pra, bazuar në ketë gjendje realisht ne jemi mirë. Tejet mirë, për një shoqëri me kaq pak arsim. Dhe kjo është tragjedia jonë më e madhe.
