• Thu. Nov 21st, 2024

Publikime

by Emrush T. Shkodra

Dominimi politik ndërmjet shefave

ByEmrush

Aug 14, 2020

Se cili është shefi, dhe si tregohet fuqia politike e njërit mbi tjetrin po thuajse në të gjitha institucionet dhe dikasteret publike, kjo gjë tashmë është bërë pothuajse e njohur ndërmjet të gjithë qytetarëve të Republikës që kanë një marrëdhënie pune në këto institucione.
Të gjithë ata që punojnë në institucionet e shtetit e din për njëri tjetrin si kanë krijuar marrëdhënien e punës, si kanë ardhur deri aty, si janë graduar, si janë ngritur në detyrë, si kanë rritë koeficientin e deri te ardhja në maje të pozitave menaxhuese.


Bile këtë gjë e kemi kuptuar edhe ne, pjesa tjetër e qytetarëve shumicë që vazhdojmë të jetojmë këtu, por si të mos i përkisnim këtij shteti!

Nejse, ku mbetëm?!

Me ardhjen e qeverisë së re, shefi kryesor normalisht kishte dërguar një vartës të tij të devotshëm në filan dikasterin që të sistemohet dhe të filloj punë!
Kjo dihet, pa konkurs, pa intervistë me shkrim, pa intervistë para panelit me gojë e kështu me radhë!
Kur arrin të vendi i punës ku kishte marrë direktivat me u sistemua ky vartësi, si zakonisht qysh e donë rendi takohet me nikoqirin e atij dikasteri!


Vartësi troket në derë, trrak, trrak!
Shefi i dikasterit: hynë!
Vartësi: përshëndetje zotni

Shefi i dikasterit: urdhëro ulu!

Vartësi: faleminers burrë.
Shefi i dikasterit: më kanë njoftuar për ty, çfarë profesioni kë të kryer?

Vartësi: ndërtimtari në shkollën e mesme jam kanë, nuk e kam marr diplomën hala, me pati mbet për pak!
Shefi i dikasterit: Lema numrin e telefonit qëtu, e të thërrasim ma vonë!

Mundesh me shku.

Ky vartësi si doli nga zyra, i bien telefonit të shefit kryesor!

Cingërrrrrr!
Vartësi: O shef më kthej ky shefi tjetër, më tha lema numrin të thërras edhe mundesh me shku ma bani!
Shefi kryesor: OK

Shefi kryesor si e ndërpriti me vartësin, cingërrrr shefin e dikasterit në telefon!

Shefi i dikasterit: Alo shef

Shefi kryesor: ta dërgova dikën, e paske refuzuar!

Shefi i dikasterit: Po ai se kish shkollën e mesme, dhe nuk e kish pas drejtimin për dikasterin ku unë kam me drejtuar!
Shefi kryesor: Po a?

Shefi i dikasterit: Po tybe!
Shefi kryesor: E ti shkollën që ma pate, më të kshyrë ma në detaje ti mundesh me kanë më dibiduz se ai!

Fundi i bisedës në mes shefash!

Ku sipas skenarit, shefi kryesor gjithë fiton!

_____
ESH

By Emrush