• Thu. Nov 21st, 2024

Publikime

by Emrush T. Shkodra

Katrahura profesionale në Kosovë

ByEmrush

Jul 11, 2020

Katrahura profesionale në Kosovë

Shkruan: Emrush T.Shkodra

Si qëndron gjendja jonë ndër shqiptare sot, konkludojmë përmes praktikës sonë jetësore që jemi sprovuar deri më tani, dhe kjo tregon saktë dhe ç ‘mes gjendemi në raport me shtetet evropiane aty ku synojmë të jemi tash e 25 vite.
Fakti vjen nga jo se në çfarë shoqërie jemi duke jetuar, çfarë kemi kërkuar, dhe çfarë shoqërie kemi ndërtuar!?
Gjithçka e kemi dhe jetojmë më “kinse”(kishe), prindi kinse po i mëson fëmija, zyrtari kinse po e kryej një punë, mësuesi bën kinse po mëson nxënësin, mjeku kinse po mjekojë pacientin, , agjencione të ndryshme kinse po luftojmë korrupsionin, nxënësit kinse po mësojmë, ndërtuesit kinse po ndërtojmë, studenti kinse po mësoj, pra të gjithë po sillemi në një rreth vicioz, ku të gjithë po gënjejmë veten, dhe po kryejmë një punë sa për sy e faqe që thuhet.
Ne mund ti lavdërohemi njëri tjetrit, mund të tregojmë po ashtu edhe tituj shkencor të fituar, por në realitet jemi askush jashtë kufijve tanë.
Askusha në çdo sferë të jetës. Për të mos thënë që nga jashtë shihemi bile me sy qesharak, marioneta hesapi.
Ne mund të jetojmë në ëndrrën tonë, duke mos dëshiruar ta na prish askush, dhe duke ngre balancat në mes vendit tonë dhe atyre evropiane.

Por llogaria s’na del askund nëse fillojmë të krahasojmë, sepse çështjet themelore të jetesës tashmë në shtetet evropiane janë zgjidhur.
Banimi, vendi i punës, sigurimi shëndetësor, kanalizimet, ujësjellësi, qendrat rekreative, transporti urban e hekurudhor, shëndetësia, ekonomia, rrugët, trotuaret, arsimimi, studimet e të gjitha sferat tjera të jetës nuk mund ti krahasojmë me tonat, asesi!

Zhvillimi i profesionistëve

Në vendin tonë flasim e bërtasim shumë për objektet, për ndërtimin, parkun, titujt shkencor të fituar nga sfera arkitekturale, dhe se kemi arkitekt të fortë e të mirë apriori, saqë po dole në terren do të hasësh menjëherë në katapultën arkitekturale, dhe çfarë ndërtimi kemi përjetuar përgjatë viteve në vendin tonë.
Ndërtim i egër gjithandej pas asnjë kriter, rrugë të ngushta, objekte banesore të ndërtuara vend e pa vend etj.
Kjo gjë përveç në Kosovë është e theksuar edhe në Shqipëri, bile atje edhe më shume degradim shihet.

Fusha ekonomike dhe rrjedhat e saj në zhvillimin e vendit shihet rënie dhe negativitet gati në të gjitha poret. Tash akoma më shumë është thelluar humbja dhe hendeku për shkak të pandemisë covid19 e cila më së shumti e ka prek ekonominë e vendit.
Por në mund të konsiderojmë që kemi ekonomistë të fortë, elaborues e njohës të fushës, por në realietet shihet çfarë ekonomie të çakorduar kemi. Kryesisht ekonomi e orientuar në tregti dhe imobilien, këtu s’duhet ndonjë koment më shumë, të fundit në rajon.

Kemi inxhinierë të fortë sa po shihet çfarë zhvillimi industrial dhe rrugor kanë dyja vendet shqiptare. Trafik dhe shoferë të çorientuar, tollovi e paushallizëm gjithandej.
Blejmë pajisjet industriale, e për servis duhet me i marr inxhinierët prej shteteve të rajonit, pra le që nuk mundemi me i prodhuar këto makineri, por as me i përdor s’po dimë.

Kemi Juristë aq të fortë sa po shihet kolaps ligjor në infrastrukturën e drejtësisë. Saqë shtetet nga jashtë po ndërtojnë gjykata për të rritur efikasitetin në luftën kundër krimit e korrupsionit në vendin tonë.
Drejtësia selektive është evidente në mbi 85 për qind të rasteve sipas hulumtuesve të kësaj fushe.

Kemi profesor e arsimtarë aq të fortë, sa që në çdo fushë arsimore e intelektuale po rangohemi të fundit për nga cilësia. Asnjë shtet normal e demokratik nuk na njeh asnjë certifikatë, e as diplomë.
Përgatisim gjenerata analfabet me certifikatë dhe diplomë.

Kemi historian aq të fortë, saqë edhe vet shqiptarët kanë filluar mëdyshje në teoritë e tyre, e mos të flasim për pjesën tjetër të botës.
Ata kanë filluar të shkruajnë për ne historinë, se ne po merremi me Peter Handken.

Kemi artistë, këngëtarë e pedagog aq të fortë, saqë edhe ata pak talent që janë, ose që kanë talentin e lindur, duhet me ik nga vendi për me mund të tregojnë në të vërtetë talentin e tyre.

Kemi mjekësi aq të fortë, saqë po shihet vendi ynë para kolapsit shëndetësor, njerëzia duke ikur për mjekime jashtë vendit. Edhe ata mjek të mirë e të pastër që janë nuk mund të tregohen, nuk kanë hapësirë, skan rreth, dhe si rrjedhojë, ose kanë ikur jashtë, ose punojnë nën trysni.

Kemi sportistë aq të shumtë saqë, qe 20 vite liga të ndryshme organizohen, dhe fitohen ndër vete, sivjet ky në vend të parë, në vitin tjetër ai tjetri. Pra nuk luajmë me askënd jashtë kufijve tanë. Aty këtu ndonjë miqësore, asgjë më shumë.
Njëherë në jetë u bë me arrit më shkuar më shikua Anglinë në vendin tonë, biletë s’mundesh me marr normal. Kurse në të zezën sa duash bileta, 100 euro e lartë.
Me një fjalë këtu ishte spontane, dhe shumë entuziaste.
Morëm teposhtën edhe këtu.
Ishte krijuar një mundësi të na përjashtojnë FIFA ose UEFA, nga garat e mëtutjeshme diçka si Rusinë, për përzierje të politikës në sport, ra pandemia dhe shpëtuam për momentin.

Siguria në “nivel”, vazhdimësia e hetimeve pas çdo rasti, të bën me kuptuar që rrezikshmëria të rrethon në çdo sferë të jetës.
Me ata që flasin shqip njëri me tjetrin gjoksin hapur, e ballëlartë duke bërtitur. Po foli një gjuhë tjetër nga skifteri bëhemi gjel.
Për fund çfarë gazetarie dhe media të fortë kemi, sa që prej që i hap sytë në mëngjesin e lum, e deri ti mbyllësh në mbrëmje të servohen lajme nga kronika e zezë, dhe kanë hipnotizuar njerëzit nga sëmundja covid19 dhe lajme të huaja, thuajse jeta jonë është parajsë, dhe se nuk kemi nevojë për asgjë.

Lavdërimet ndërmjet veti

Ti mund të na dhurosh vizitkartat tuaja, ne do të besojmë çfarë qenke duke u bazuar në titujt shkencor që i kë vënë në atë kartë.
Por beso, këto grada nuk na mban turpi ti tregojmë një Gjermani, Francezi, Italiani, Zvicerani, Amerikani, Polaku, Bulgari, Kroati etj.

Shqiptari shqiptarit kurrë nuk i është frikuar, është një proverb popullor i kamotshëm, fatkeqësisht po vazhdon akoma.

Pra, ndalojmë ti lavdërohemi njërit tjetrit, ndalojmë të tregohemi trim e intelektual para njëri tjetrit, ti kthehemi realitetit.

Ndodh shpesh herë, nëpër panaire, nëpër simpoziume, zyre institucionesh, kur njoftohesh me ndonjërin, ndan me ty arritjet shkencore duke të dhuruar një vizitkartë të llojit ku përveç emrit të tij, do të hasësh në një mori titujsh shkencor:
Dr.mrs.sc.ec/ing.dipl.agr. “Filan Fisteku” spec.prot.kr

Siç kishte thënë dikush mjaft doktoruam, të fillojmë të mësojmë pak!

Vetëm veterinaria nuk e di si qëndron në vendin tonë, të tjerat i përjetuam dhe i mësuam?

PS. përgjegjësia intelektuale na tregon se shkrimet mund të bëhen në shumës, edhe këtu përjashtimi i individëve të sferave të ndryshme është perfekt në nivelin intelektual dhe profesionist.

Por si thonë, shumica e mund pakicën.

11 korrik 2020

By Emrush