• Sun. Nov 24th, 2024

Publikime

by Emrush T. Shkodra

Diplomacia Kosovare

ByEmrush

Oct 5, 2022

Mbaj mend menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mbi 34 shtete kishin njohur Kosovën si shtet të pavarur, ndër ta Afganistani ishte shteti i parë që e kishte njohur shtetin më të ri në botë!

Dukej që atëherë nuk kishte fare diplomaci të konsoliduar Kosova, e aq më parë që diplomacia jonë të kishte arritur në Afganistan për ta bind shtetin e tyre të na njeh pavarësinë e Kosovës, edhe atë të bëhej shteti i parë.

Nejse!

Sot, 14 vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të mund të ndalemi dhe të pyesim veten se: cili shtet e ka njohur pavarësinë e Kosovës si rezultat i diplomacisë së Republikës së Kosovës?!

Qeveritë ndërroheshin  një pas një, ministrat e jashtëm ndërroheshin po ashtu një pas një, por njohjet për pavarësinë e Kosovës mbeteshin të njëjta, ato që e kishin njohur në fillim, ato edhe mbeten. Dikur më vonë, kishin hyrë në agjendën e diplomacisë sonë vizitat nëpër disa ishuj të ndryshëm nëpër botë, që Kosova duhej medoemos të konfirmonte dhe të merrte njohjet edhe nga këto shtete-ishuj që ishin, thuhej se duhet të rritet numri, asgjë më shumë.

Aq shumë turfullohej puna, sa që nuk dihej kush i merrte meritat për letër konfirmimin e njohjeve për pavarësinë sonë nga shtetet tjera.

Paguheshin e shpenzoheshin para të majme nëpër botë, agjenci logimi ishin kontraktuar nga diplomacia Kosovare, që në fund rezultatet ishin nën zero, sërish duhej diplomacia Amerikane të thoshte fjalën e vet.

Bile, tregohej nga disa lobues që kishin shpenzuar aq shumë para për ti sjell Kosovës njohje të reja, nga shtete që krejtësisht nuk ishin relevante në procesin e njohjeve dhe rritjen e tyre, sepse po shihet në fund që nuk është shumë me rendësi numri i shteteve që kanë njohur shtetin tonë, por është rëndësia dhe reputacionin që kanë ato vende, respektivisht ato shtete!

Sepse mjafton vetëm një mos me të njoh akoma si shtet, dhe ti nuk bëhesh dot, apo kurrë anëtare e OKB-së!

Një shteti-ishull që kishte diku 25 mijë banor, autoritetet Kosovare të dikurshme, thuhej se i kishin një premtuar 30 kompjuter për administratë, si kompensim në marrjen e letrës konfirmuese për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por, për rrjedhojë të papërgjegjësisë, as këta kompjuter nuk i kishin dërguar, e për pasoj pastaj ai shtet ishte  tërhequr nga njohja e pavarësisë së Kosovës.

Ishin investuar shpenzime koti të milionave në kuadër të lobimit nga delegacione të ndryshme brenda dhe jashtë diplomacisë së Kosovës.

Ne, duhet ta kuptojmë se të gjitha njohjet për pavarësinë e Kosovës nga shtetet tjera janë ardhur si rezultat i përbashkët i shteteve mike të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Praktikisht, ata të cilët kontribuuan në shpalljen e pavarësisë së shtetit tonë, dhe ndërtimin e tij, ata kontribuuan edhe në njohjet e ardhura që Kosovën ta pranojnë si shtet të pavarur dhe sovran.

Mund të konkludojmë se, ndalja e procesit të njohjeve erdhi edhe si pasojë e bisedimeve shqiptaro-serbe, afërsisë së palëve nëpër tryeza, dhe vazhdimit të tyre në pafundësi.

Kulmi i kësaj ishte kur kishin filluar të preken emërtimet e shtetësisë sonë, sidomos shtrembërimi i emërtimit të Republikës së Kosovës duke i vënë një fusnotë krejtësisht të panevojshme, dhe pranimi i saj KOSOVO*

Atëherë, ekzistenca dhe shtetësia jonë, nuk do të jetësohej pa ndihmën dhe përfshirjen e këtyre shteteve mike, e posaçërisht e përsërisim që pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo as që mund të mendohej, assesi!

Bazuar në forcat tona, ndikimin tonë, reputacionin tonë e diplomacinë tonë, besoj se ne do ta kishim vetëm një njohje në momentin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, atë nga Shqipëria.

Presje,

____
ESH

____________
publikime.com

By Emrush