• Thu. Nov 21st, 2024

Publikime

by Emrush T. Shkodra

Rikujtim për Revistën ERA dhe rock grupin Dimensioni i Katërt

ByEmrush

Jun 12, 2020

Revista për të rinj “ERA rinore” kishte realizuar intervistën e parë me rock grupin Gjilanas “Dimensioni i Katërt” në vitin 1996. Ne po revokojmë dhe po e ofrojmë për lexuesit tanë intervistën e plotë që ishte realizuar nga ky grup.
Dimensioni i katërt në përbërjen e saj më nuk ekziston, mirëpo tekstet e këtij grupit në atë kohë ishin vlerësuar nga kritika si një nivel shumë i lartë artistik.
Dimensioni kishte marr pjesë edhe në festivalin e këngës “SHOW fest” në Prishtinë, e cila më këngën “Më zgjo” ishte radhitur e dyta nga juria e atëhershme e vitit 1997.
I vetmi artist i cili vazhdon sot të merret me muzikë nga grupi Dimensioni i Katërt është Fitim Beqiri-BACI, i cili me këngët “Hija, “Repriza”, “Thëllënza”, “Kontakti i shkurt” etj, vazhdon të pasuroj rock skenën Kosovare.

Revista ERA rinore kishte filluar punën para luftës në kushte të vështira, nëse kemi parasysh faktin se në çfarë gjendje ishte në përgjithësi gazetaria në Kosovës, nën masat okupuese serbe.

Revista për të rinj “ERA rinore” ishte revista e parë në Kosovë që merrej kryesisht me problemet dhe preokupimet e të rinjve.
Ajo ishte krijuar gjatë viteve 1994-95 dhe kishte në përbërjen e saj kryeredaktorin, redaksinë, marketingun dhe shtypin përmes të cilit bëhej edhe realizimi kompjuterik.

Anëtaret e redaksisë ishin: Ardianë Pajaziti, Diturie Hoxha, Emrush Shkodra, Xhelil Haziri, Haqif Sermaxhaj.
Kryeredaktor ishte: Nefail Haziri, marketingu: Aziz Krasniqi, realizimi komp, dhe shtypi: Burim Bunjaku

Realizimin e intervistës me Dimensionin  në qershor 1996, për revistën për të rinjtë “ERA rinore”, me seli në Gjilan e kishin realizuar Emrush T.Shkodra dhe Xhelil Haziri

Intervista ishte publikuar në numrin e parë të revistës më 15 gusht 1996 në ERA rinore.
Po u publikojmë intervistën e plotë, dhe pa ndërhyrje si është bërë atëherë në 1996-ën.

Pra, para plotë 24 viteve rock grupi i parë muzikor që intervistohet për një revistë për të rinj siç ishte ERA rinore!

Fillimi

———
Anëtarët e grupit “Dimensioni i Katërt”


Fitim Beqiri: rhythim guitar

Edmond Gjinolli: bass guitar
Adhurim Shabani: solo guitar
Martin Ajvazi: drums

(Para se të fillojmë bisedën, këta na lutën që të gjitha përgjigjet e tyre të shënohen veç në emër të “Dimensionit…” ngase siç thanë ata “ne jemi Dimensioni…”)

ERA: Kush e përbën Dimensionin e Katërt?

DIMENSIONI: Edmond Gjinolli, Martin Ajvazi, Adhurim Shabani, Fitim Beqiri
ERA: Kur u themelua grupi, kur u emërtua, dhe ç’paraqet për ju ky emër?

DIMENSIONI: Grupi zanafillën  e ka rreth 86. Ideja për themelimin e grupit ishte e Fitimit, ndërsa rreth emrit kemi diskutuar gjatë. Dimensioni i katërt për ne është një këndvështrim mbi të gjitha senzacionet e aproksimuara si shpirtërore ashtu edhe qenësore. Me këtë emër u emërua nga Adhurimi në vitin 90-të.
ERA: Prezentimet para publikut….
DIMENSIONI: Për herë të parë para publikut u paraqitëm më ’91 në një mbrëmje të rock-ut në kafiterinë “Magjistarët” dhe prej këtij viti kemi marr pjesë në shumë shfaqje të rock-ut në Gjilan dhe gjetkë. Sivjet u kualifikuam në festivalin “Kënga e Pranverës” ’96 ku edhe morëm pjesë në e këtij festivali….
ERA: Çfarë stili të muzikës kultivon “Dimensioni i Katërt” dhe ç’mund të na thuani për rrjedhat e rock-ut sot?
DIMENSIONI: Për ne stili (konceptualisht) është i ndryshueshëm. Këngët e punuara deri më tani janë të një zhanri kushtimisht të quajtur “psiko”-metal me tendenca progresive. Rock-u Kosovar mendojmë është formal, është një vlerë që konsumohet nga një rreth mesatar e që i kontribuon një faze regresive kulturore të manipulimit me vlerat e vërteta.
Projektet e ndryshme të grupeve botërore lansohen nga pultet mas mediale që janë si funksione eksponuese të një bote konsumuese bashkëkohore që tek ne bie si hije jo mjaftë e qartë, dhe subjektivisht e kuptuar me parasygjerime dhe e transformuar artificialisht… duke ia shtua kësaj një sindrom të idealizuar të quajtur ballkanik – duke lindur kështu një produkt qesharak, që tek ne shprehet si modë, trend, shprehje ose kulturë aktuale perëndimore.
ERA: U përmend festivali i mbajtur në Prishtinë. Ç’mund të na thoni për të?
DIMENSIONI: U paraqitëm me këngën “LCD 25” dhe e tërë ajo ishte një përvojë e mirë dhe e këndshme. Përshëndesim Muharrem Rashitin dhe e falënderojmë sinqerisht…
ERA: Si u prit “LCD 25” nga publiku dhe juria?
DIMENSIONI: Nga publiku jemi të kënaqur. Duhet cekur se kënga nuk eshtë punuar enkas për ketë festival… për jurinë nuk mendojmë gjë…
ERA: Ç ’përmbajnë tekstet e këngëve tuaja? Kush kujdeset për tekstet e kush për muzikën?

DIMENSIONI: Tekstet janë të punuara në lidhje të sinqertë me muzikën dhe janë shprehje pas së cilave qëndrojmë me besim të plotë.

Tekstet i punon Fitimi, kurse muzikën Adhurimi…Lexuesve të “ERA…” u dhurojmë tekstin “LCD 25”
ERA: Ç ‘jeni duke punuar momentalisht?

DIMENSIONI: Jemi duke përgatitur materialin e albumit tonë të parë. Pas promovimit shpresojmë në një turne.
ERA: Në fund diçka për lexuesit tanë?
DIMENSIONI: I përshëndesim të gjithë ata, dhe juve ju falënderojmë me dëshirën që “ERA rinore” të jetë freski jo vetëm për të rinjtë.

FUND
Përfundimi i intervistës së realizuar nga “Era rinore” me seli në Gjilan në vitin 1996 me rock grupin Gjilanas “Dimensioni i Katërt”



Realizimi: Emrush T.Shkodra

By Emrush