• Thu. May 9th, 2024

Publikime

by Emrush T. Shkodra

Programe politike për vitin e ri

ByEmrush

Jan 3, 2024

Sido që të jetë!

Prisnim diçka më ndryshe, diçka më reale nga TV tona në programet e tyre sa i përket festës së ndërrimit të motmoteve, pra festës së vitit të ri 2024!

Por jo.

Si zakonisht në të gjitha televizionet kombëtare të republikës nga programet e tyre që dukeshin më shumë dekorime se që kishin përgatitur vullnetshëm, ishin të ftuar si tërësi paria politike, në të shumtën politikan opozitar.

Aq shumë i kishin përfshirë politikanët dhe  politikanet nëpër emisione sa që disa prej tyre as që mund të rehatoheshin në panelet e ftuara.

I kishin bë politikanet këngëtarë, artist, dirigjent, shkrimtar, poet, njerëz të fushave kulturore dhe arsimore. Dukej që i kishin sugjeruar edhe veshjen, që dukeshin shumë glamuroze me kravata flutur, e në fakt në të gjithë i njihnim çfarë figura rurale kishin qenë dhe të tillë kishin mbetur!

Sako me mëngë të mëdha, kravata të stërzgjatura, çorapë të shkurtra, edhe nime sa jemi te çorapet, nuk e kuptoj si nuk e mësuan akoma se një burrë në studio duhet mos me ju duk lëkura me kime në këmbë, por duhet marr çorapët më të gjata.

Disa prej tyre shihen akoma nëpër disa video që qarkullojnë në rrjetet sociale tek festojnë në çdo dy vjet liberalizimin e vizave! Dhe sërish i njëjti në programet festive, wow çfarë hijeshie e shëmtuar.

Kishin sjell në ekrane figura politike shumë kontroverse që ne kishim besuar se ka perënduar koha e tyre, por jo! Trrap në një program festiv, një palë syze “intelektuale”, një mjekër të bardh “artistike”, flokë të ngjyrosura e dhëmbë të rregulluar shumë të bardhe në kontrast katastrofal me pamjen.

Vazhdonin të flisnin sikur asgjë të mos kishin bërë në këtë vend, dhe udhëheqësi i programit assesi nuk i përmendke korrupsionin, arrestimin, burgun, keqpërdorimet sa ishte në pushtet, jo be çfarë.

Tani më ato i përkisnin të kaluarës!?

Nuk kanë rëndësi tash të bërat negative të tyre, e rëndësishme tash është se po i shpenzojnë paratë e pasurinë e fituar ngadalë nëpër ndërtimin e objekteve të larta, nëpër aksione, me banesa e villa, toka e vetura.

TV-ve tona besoj duhet me jua bë me dije se, nxjerrja e politikaneve para qytetarëve nuk ju len asnjë përshtypje se çfarë sjellje kanë ata, bile përkundrazi i irriton dhe ju sjell në kujtesë të kaluarën jo të këndshme të tyre?

Ku me u ankuar për prezantimet e këtilla të TV-ve, tybe s’ ke ku jo?!

Vetëm një gjë kemi arritur të shohim dhe përjetojmë se aeroporti i Prishtinës në mëngjesin e hershëm të janarit të datës 1 të vitit 2024 ishte përplot me njerëz!?

Urime liberalizimi i vizave edhe njëherë, hah!

Se kam një far përshtypje profesionale që viti 2024 ka me qenë larg më i mirë se ai që shkoi (s’po ia përmendi emrin).

____
ESH

___________
publikime.com

By Emrush