• Thu. May 9th, 2024

Publikime

by Emrush T. Shkodra

Shteti serish vazhdon të ketë qasje selektive në mesin e qytetarëve të tij!

ByEmrush

Feb 1, 2023

Avazi i vjetër se duhet shpërblyer vetëm fuqinë punëtore që është pjesë e institucioneve publike, po vazhdon!

Dhe kjo duket që është bërë një rutinë meskine, e që në fund s’ka se si të mos përfundoj në të keq!

Sektori publik me ligjin e ri të pagave krijon një hendek edhe më të thellë diskrepant se që ishte deri më tani!

Rritja e pagave në sektorin publik, miratimi i ligjit mbi caktimin e koeficientit dhe nivelimin e pagave që vazhdon tash e dy vite, duket që sërish prekën anët negative të shpërndarjes së pasurisë së përbashkët publike në mënyrë proporcionale!

Përderisa shumë biznese po shkojnë drejt falimentimit, paraja publike dhe djersa e atyre që paguajnë taksat, vazhdon të ndahet nga kuleta e shtetit vetëm për ata që janë në punë të shtetit!

Pra, sektori privat vazhdon me gjithë vështirësitë të mban shtetin gjallë përmes taksave të tyre, mirëpo shteti këtë nuk jua kthen në mënyrë të barabartë!

Shteti siç kishte me thënë populli vazhdon të jetë për dikë nënë e për dikë njerkë!

Nejse!

Para një muaji shteti ndau nga 100 euro për të gjithë të punësuarit e sektorit publik. Sektorin privat as që e kishte në fokus!

Para një jave shteti ndau sërish nga 50 euro për të gjithë punëtorët e sektorit publik. Sektorin privat sërish e la anash, për të mos thënë e harroi fare!

Nejse edhe kjo!

Shteti vazhdon të bëjë nivelimin e pagave duke krijuar një rregull sa i përket pagesës së punëtorëve në sektorin publik, por duke mos përfshire as në debate sektorin privat.

Shteti cakton koeficientin për shtresat punëtore nga sektori publik, por duke anashkaluar plotësisht sektorin privat.

Si thotë një daja im, që e kam shumë për qejfi!

Këtu nuk do të mbesin njerëz as për me hy drejtorë, as s’do të ketë njerëz që do bëheshin zëvendës ministër!

Se bizneset ashtu kështu s’do të ketë, ose do të ketë në një numër mjerues, apo ndonjë që do të lidhej duke mbijetuar përmes tenderëve!

Merr paranë nga sektori privat, rrite mirëqenien e atyre nga sektori publik!

Këtu kemi mbetur të ndahemi edhe në shërbime tani më!

Spitalet të ndërtohen në vete për ata që punojnë në shërbimin publik.

Transporti të jetë i ndarë për ata që punojnë në shërbimin publik (këtu veçse ekziston kjo ndarje).

Pagat u bën të ndarë për sektorin publik.

Të rregullohen edhe rrugët e trotuaret që mos të presin në kolona

Dalëngadalë po vijmë në sistemin e Pakistanit, kush ka pasur rastin të ishte ndonjëherë atje, e din për se flas në këtë rast!

Vlen të theksojmë se të punësuarit nga sektori publik janë diku 85 mijë.

Kurse të punësuarit nga sektori privat janë mbi 500 mijë (shifër që nuk dihet kurrë saktë).

Kishte thënë Deming “Nuk mjafton të bësh më të mirën, duhet të dish çfarë të bësh dhe më pas të bësh më të mirën”.

PS: Paramendojeni në kohën e fushatave vizitat nëpër ndërmarrjet private, hah!

Shpejt do të vjen kjo ditë…

____
ESH
___________
publikime.com

By Emrush