• Thu. May 9th, 2024

Publikime

by Emrush T. Shkodra

Fuqia e huaj punëtore në Kosovë

ByEmrush

Oct 12, 2022

Bazuar në statistika dhe historinë e kronologjisë së ngjarjeve, në shtetet e Evropës perëndimore fuqia e huaj punëtore është ajo qe ka dhënë maksimumin në ndërtimin e infrastrukturës në përgjithësi, për të mos thënë në tërësi!

Fuqia e huaj punëtore në shumë raste thuhet se kanë ndërtuar dhe zhvilluar shtetet kryesore në Evrope!

Që nga viti 1966 shqiptarët kishin nxënë vendet e tyre në Evropë, një pjesë e madhe kishin shkuar përmes marrëveshjeve shtetërore ndërmjet Jugosllavisë dhe shtete përkatëse. Kryesisht shqiptarët si fuqi punëtore ishin sistemuar në Zvicër, Gjermani, Austri, pastaj më vonë në Francë, Britani, Belgjikë, Skandinavi e për të vazhduar pothuajse në të gjitha shtetet tjera Evropiane ku më pak e ku më shumë!

Pra, fuqia e huaj punëtore ishte shtytje dhe promotor në ndërtimin e punëve më të rënda infrastrukturale në vendet Evropiane!

Kjo ditë tani më po vjen edhe te NE!

Prandaj nga sipërmarrësit fuqia e huaj punëtore do të shihet si zgjidhje në plotësimin e zbrazëtive dhe mungesës së fuqisë punëtore që po paraqitet në Kosovë.

Informatat se fuqia e huaj punëtore po operon në Kosovë, dhe që është prezentë nëpër disa biznese të caktuara, nuk është ndonjë risi kohëve të fundit. Tani më ka edhe disa agjencione që merren me trajnimin dhe përgatitjen e fuqisë punëtore jashtë kufijve të Republikës sonë. Herët apo vonë, edhe tregu i Kosovës do të vërshohet më punëtorë të huaj sezonal, dhe të përkohshëm nga vende si Nepali, Vietnami, India, Bangladeshi, Kurdistani, Shqipëria, bile nga disa shtet të cekura këtu, tani më punojnë në Kosovë prej kohësh.

Këto gjëra, e këtë brengë që ne sot po e shpërfaqim si imanencë për vendin tonë, shtetet tjera Evropiane janë sprovuar prej 40-50 viteve më herët.

Prandaj, kur shihni ndonjë ndërmarrës, ndonjë kompani, biznes të caktuar e taksa pagues të madh e të rregullt në vendin tonë tek kërkon fuqi punëtore, nuk është mirë me u ngazëllyer, e me ju gëzua rënies së dikujt, sepse fuqia punëtore do të lëviz nga vendi në vend, nga shteti në shtet!

Pra, Kosovës mund ti vjen fuqi e re punëtore dhe ndoshta edhe më e motivuar për punë nga lëmi të ndryshme si: ndërtimtari të gjitha nivelet, zejtari, industria e drurit, bujqësi sidomos në bujqësi, IT njohës  të teknologjisë informative (ndoshta jo ekspert), mjek, e deri te farmacist dhe administrator.

Duket që në një të ardhme jo të largët, shqiptarët do të kenë dy mundësi, të qëndrojnë dhe punojnë në Kosovë, apo të migrojnë si një pjesë tjetër që është sistemuar deri më tani nëpër shtetet Evropiane.

Nuk është se janë paga të mira në disa shtete Evropiane, bile disa syresh përveç që të marrin pjesën më të mirë të jetës në punë, as nuk të pasurojnë! (shtetet si Kroacia, Slovenia, Austria, ndoshta Franca e Gjermania, si thuhet nuk është që kanë të ardhura kush e di së çfarë).

Nuk dihet, ndoshta në tërë këtë ndryshim edhe mund të zhvillohet rezultat pozitiv, futja e konkurrencës është segment që në shtetet me ekonomi të lirë konsiderohet më shumë se sukses.

Përderisa në Kosovë mbi 92% e bizneseve janë ndërmarrje, mikro, biznese individuale, të vogla dhe në disa raste të mesme, atëherë kërkesa për mbijetesë të bizneseve si interes dhe ekzistencë për shtetin do të jetë fuqia punëtore, qoftë ajo vendore apo edhe e huaj!

____
ESH
___________
publikime.com

By Emrush