• Thu. May 9th, 2024

Publikime

by Emrush T. Shkodra

Larg syve, afër zemrës!

ByEmrush

Apr 19, 2022

Larg syve, afër zemrës!

Shpesh herë më kishte ra me dëgjuar se ky vend është i nëmur shtatë pash ndër dhe.

Gjenerata të tëra nuk ka arrit të shohin qetësinë as shpirtërore, as familjare e as kombëtare!

Në thellësinë time shpirtërore është krijuar dhe ënjtur bindja duke ju dhënë të drejtë atyre njerëzve tek i dëgjoja sa isha në rininë time, duke pëshpëritur se gjeneratë pas gjenerate, kishin kontribuar për këtë vend e për ketë tokë, po hajr i drejti nuk i ka pa!

Nuk ka numër të saktë të dimë sa njeriu është sakrifikuar për këtë TOKË, për ketë vend!

Të vrarë, të persekutuar, të humbur e tretur rrugëve të botës!

Me vite të tëra ishin rritur gjeneratë pas gjeneratë nën betimin dhe shpresën se një ditë do të behët mirë!

Kurrë s’u bë mirë, e kurrë s’do bëhet mirë!

Kjo është e shkruar, ktheje kokën lartë!

Sepse!

Ky vend ka qenë shumë i padrejtë më të drejtin!
Ky vend ka qenë mizor më të devotshmin.

Ky vend ka sprovuar të sprovuarin!

Ky vend ta ka hangër djersën. Ta ka marr gjakun. Ta ka humb jetën!

Cili është kuptimi i jetës, kur terë brendësinë e saj jeton i ndarë në pjesë-pjesë me familje!

Ato fytyrat e ngrysura e të përlotura sa herë merr e përshëndetesh duke u ndarë në mes familjesh, duket që kurrë s’do të marrin fund!

Duket një agoni që nuk perëndon, që zgjat pafundësisht duke ta gërryer shpirtin!

E sidomos e rënd fëmijët me prindit, e akoma më rënd e prindit me fëmijën!

Sa herë shkoj e i vizitoj prindit në Zvicër, të tillë si në foto i lë!

Mbi 55 vjet mbi supet e tyre s’kishin reshtur stuhitë e egra të mërgimtarit, mbi shpirtin e tyre kishin ra etapa të ndryshme, që nga hapja e universitetit, demonstratat e 81, pushtimi klasik i Kosovës, lufta Çlirimtare dhe kontributi ndaj saj, puna e djersa në ndihma të ndryshme përgjatë tërë këtyre viteve.

Të gjitha ishin përballuar me vetëm e vetëm të shihnin vendin, atdheun e tyre një ditë të begatë e të barabartë me pjesën tjetër të botës perëndimore!

Nuk është e kotë respekti dhe vlerësimi ndaj prindërve, ne nuk kemi për ta ditur asnjëherë se çfarë sakrificash kanë bërë ata për të qenë ne këta që jemi sot!

Nëse mijëra kilometra sot na ndajnë, ta dini duart tona qëndrojnë të ngritura drejt qiellit!

Edhe dielli po të shuhej, s’na ftoh dot largësia!

____
ESH

___________
publikime.com

By Emrush