• Wed. May 8th, 2024

Publikime

by Emrush T. Shkodra

Ngazëllim tej mase nga një pjesë e njerëzve se si shteti ka filluar dënimet ndaj biznesit!

ByEmrush

Mar 15, 2022

Praktikat kanë treguar që me dhunë dhe dënime nuk zgjidhen problemet, e aq më pak nuk mund të sjellësh detyrim në zgjidhjen e tyre.

Nuk mundesh ti gëzohesh fatkeqësisë së atij që të ushqen, edhe ma hiç të mbështetësh gëzimin me humbjen e të tjerëve!

Tek e fundit ishin këto biznese që na mbajtën shpresën gjallë përgjatë tërë pandemisë, kohën kur nuk kishim idenë si do ti ushqenim fëmijët!

Ndoshta nuk i keni harruar ato skenat e pritjeve në radhë të gjata për miell. Ato skenat e kacafytjeve nëpër minimarkete, për të marr dhe për tu furnizuar me miell.

Këto marketet ishin ato që na furnizonin ne me artikujt që mbanim shpirtin gjallë në kohën kur bota ishte mbyllur nëpër shtëpi, e frika ishte ndaj një armiku që as nuk shihej, e as nuk dihej nga vinte!

Mirëpo kjo praktika e mosmirënjohjes është e theksuar te shqiptarët!
Eiii, këta s’po tregojnë respekt ndaj Amerikës, e leje ma ndaj atyre që i kanë ushqyer!

Nejse!

Nëse jemi duke u gëzuar, atëherë ta kemi të qartë se po krijojmë armiqësi të paqenë, dhe besoj që pastaj edhe më vështirë do të jetë kapërcesh mllefin dhe pakënaqësinë!

Nuk ka më keq se të urresh dikën pa të bërë asgjë.

Sido që të jetë!

Ne nuk mund ti shtjellojmë të gjitha temat ekonomike në një rast të caktuar, por se barazia në ekonomi duket që nuk mund të aplikohet me këto politika që zhvillohen ndër vite në vendin tonë.

As nuk është tentuar ndonjëherë, e as që do të jetë në fokus kjo ndonjëherë!

Pa marr anë!

Nëse shteti nuk është në gjendje të përgjysmojë akcizën, që është tarifë monetare mbi vlerën e produktit, dhe e cila direkt mbush arkën e shtetit pa asnjë investim, atëherë si mund të bëjmë presion mbi biznesin me çfarë çmimesh të operon në treg.

Praktikisht duhet ta kuptojmë se nëse kompanitë private nuk sjellin derivatet, kafen, alkoolin, cigaret etj. Shteti nuk do të mund të mbushte arkën e vet, dhe nuk do të kishte as kah do të mblidhte buxhetin e shtetit e duke përmbushur parashikimet për rritjen së tij.

Pra si rrjedhojë e kësaj, çdo produkt derisa të del në treg do të ti nënshtrohet shumë taksave dhe tatimeve për të arritur në fund të konsumatori.

Ligji jep mundësinë secilit biznes që të krijoj edhe stoqe, ligji i jep mundësi po ashtu biznesit që të operojë me produktet si të dojë në treg, vetëm duke vepruar në suaza të ligjit dhe të bërit biznes, pra duke paguar taksat, regjistrimin e punëtoreve, pagesat komunale, mos krijimin e monopoleve etj.

Ai mund edhe ta shes ose jo një produkt të caktuar, mund po ashtu edhe ta stopoj një kohë shitjen e atij produkti të caktuar, duke nxjerr në treg në një moment tjetër kur ai e sheh më të leverdishëm për biznesin.

Ai ka detyrim të paguaj tatimin, tjerat janë relevante!

Por nuk duket që të jetë e tëra këtu!
Të elaborojmë më gjerësisht operimin e bizneseve në treg, dhe veprimtarinë e disa prej tyre, që vazhdojnë të operojnë papengueshëm, dhe duke i ikur në vazhdimësi presionit edhe qytetarë, edhe presionit nga autoritetet.

  1. Bankat komerciale:

Sipas raporteve zyrtare bankat realizojnë pritjet financiare për më pak se një muaj e gjysme të vitit prej 12 muajve.

Dhe askush aty nuk ndërhyn, me gjithë që fitimi enorm është pjesë e politikave të institucioneve financiare, gjë që kjo është plotësisht e drejt sa i përket fitimit sa më të madh që është e mundur.

Prandaj produktet e lëshuara nga banka si: Kreditë, kamatat, mirëmbajtja, sigurimet në kredi, etj. Janë vetëm disa njëra nga liritë ekonomike që shteti nuk mund të vëjë dorë.

  • Kompanitë e sigurimeve:

Askush nuk ndërhyn në rritjen e çmimit të sigurimeve të automjeteve, ku rritja nga viti i kaluar në këtë vit pothuajse ka arritur me mbi 45%, këtu nuk bëhet shumë zhurmë, dhe se edhe kjo është një ndër mundësitë ekonomike të tregut të lirë dhe të drejt që shfrytëzohet nga biznesi.

Atëherë si në lëmit tjera, edhe kompanitë e sigurimeve shfrytëzojnë mundësinë e zonës së lirë ekonomike, duke shfrytëzuar çfarëdo forme që është në mundësinë e tyre.

  • Mjekësia:

Biznesi tjetër tejet profitabil, dhe si duket jashtë mundësisë së kontrollit të autoriteteve është edhe Mjekësia. Mjekësia private është një sektor tjetër që fare nuk preket, e as nuk atakohet, kurse atje çmimet nuk i determinon tregu dhe nevoja e qytetarëve, por vetvetiu ata krijojnë çmimin ta zamë se me kushtua mbjellja e flokëve, ose deri në operacionet edhe më të ndërlikuara, dhe sëmundjet e shtrenjta që donë trajtim të vazhdueshëm, por shumica e qytetarëve as nuk mund ti arrijnë?

  • Media:

Mediat e caktuara, televizione, portale që shuma marramendëse derdhen në këtë dikaster, mirëpo këtu nuk ndërhyhet. Një miku im nga një portal një ditë kur i bëra pyetjen se pse nuk e po dërgon një reporter në Poloni ose Ukrainë për të monitoruar luftën, më tha: “ëoë, nuk ma mrrinë o boss. Viza, banimi, udhëtimi, gjetja e banorëve lokal atje, vetura, pajisjet: kamera, aparati, telefoni, interneti, nuk ma mshelin 35-40 mijë euro”.

  • Kompanitë teknologjike (interneti, tv kabllor etj), ku eshtë një treg u mbushur të cilat duket që askush nuk ka kontroll ndaj tyre. Aksionar nga të gjitha anët kanë futur investimet e tyre në këta operator.
  • Investimi në ndërtim, shitje blere të tokave, lagjeve, vilave etj. Këtu qysh me mundur me u futur se, eh!
  • Edhe disa të tjera janë, dihet a? Hah!

Por jo, ja!

Trysnia do të vazhdon të behët mbi disa biznese që mëzi mbijetojnë!

Trysnia të behët aty ku është butë, ku është hollë dhe ku nuk ka mburojë politike, sepse po të kishte, presionin e kish pa veç te të tjerët?

Si është ai proverbi popullor ku thuhet se: e rrihnin hyqmeti këtyneherë shpinës njërin, e ai bërtiste ov bre kuku koka, ov bre kuku barku?

“Po e pyesin qysh bre na po te rrahim në shpinë, e ti po bërtet jo koka, jo barku?

Eh me pas patur unë shpinën e fortë, hiq nuk isha ardh në këtë moment”.

Me masa ad-hoc, me veprime të ngutshme si rrjedhojë e presionit publik e medial, nuk mendohet që do të kemi një ekonomi të shëndetshme, e aq më pak nëse mendojmë në afate më të gjata.

Duket që gjithnjë trysnia do të behët mbi të dobëtin!

Ti merre produktin me këtë çmim, nuk më intereson mua!

Me shit duhet me shit më këtë çmim!

Shumë biznese duket që janë mbet brenda suaze negative të operuarit në treg!

Mbaje, s’po mund ta mbaj.

Lëshoje, s’po mund ta lëshoj (s’po më lëshon, e kah me ja mbajt)!

I ka qe 10 vite që lloj-lloj fushatash janë bërë për mos konsumimin e produkteve serbe, shqiptarët sërish i zbrazën raftet për brenda dy ditëve, vetëm si pasojë se dikush ngriti një panik!

Pra, ne nuk po bëjmë presion mbi produktet serbe që shitësit thonë se prodhuesit i kanë ngritur çmimet mbi 70%, dhe sërish në tregun e Kosovës shiten me të madhe!

Por

Ev!

Në kohën e mexhlisit kur pleqëroheshin problemet e njerëzve, ai që ishte i më i fortë kundrejt palës tjetër thoshte kështu duhet të jetë, edhe kështu zgjidhet ky problem?

Ai i dobëti thoshte, qysh ta pleqnon mexhlisi?
Dhe mexhlisi, detyrohej nga i forti të pranonte zgjidhjen, kurse nga ky i dobëti veç e kishte marr përgjigjen!

____
ESH

___________

publikime.com

  

[Dictum: Njerëzit që kafshojnë dorën e atij që i ushqen, zakonisht lëpijnë këpucët e atyre që i godasin E.Holar! ]

Perëndim ku je?

By Emrush