• Thu. May 9th, 2024

Publikime

by Emrush T. Shkodra

ByEmrush

Nov 22, 2021

Padrejtësitë ndaj intelektualëve dhe profesionistëve.

Njëri ndër sektorët që do duhej trajtuar si njëra ndër pikat më të nxehta e që kërkon zgjidhje permanente dhe të menjëhershme është arsimi dhe institucioni i DKA-së në komunë.

Kur kemi parasysh degradimin që i është bërë arsimit për vite të tëra nga qeverisjet e njëpasnjëshme që nga pas lufta, atëherë do duhej përvjelë mangët dhe duhet vërë drejtësinë në shërbim të cilësisë dhe profesionalizimit duke filluar nga:

  1. DKA – Drejtoria Komunale e arsimit, stafit dhe tërë personelit të saj.

Subjektet politike që kanë qeverisur më komunën, respektivisht Drejtorinë e Arsimit që nga paslufta, lirisht mund të themi se kanë instaluar vartës të një pas njëshëm të dëgjueshëm duke vendosur nëpër pozita njerëz jo kompetent e jo profesional. Militant partiak, injorant që për vite të tëra profesionistëve dhe atyre që kanë qenë kuadro të vërteta i kanë bërë dëm në vazhdimësi.

Këtu janë ndihmuar në një masë të madhe edhe nga inspektorati i arsimit, e ku për rrjedhojë mbulimi i padrejtësive ka vazhduar deri në persekutimin dhe përjashtimin e një pjesë të mirë të profesionistëve dhe intelektualëve të vërtetë.

Forma e menaxhimit të DKA-së ka pasur një zingjir udhëheqës pothuajse mafioz, ku askush pothuajse asnjëherë nuk ka marr përgjigje që do të vënte drejtësinë në vend.

2. E tëra hierarkia që nga arsimi i ultë dhe fillor, për të vazhduar të arsimi i mesëm dhe i lartë, e deri të zyrtarët ligjor, e shefat e arsimit, për të vazhduar të psikologet e për të ardhur të drejtorët e shkollave, sekretarëve të shkollave për të përfunduar më punësimin e injorantëve nëpër shkolla ka vazhduar përmes të vetmit kanal, atij partiak të përfaqësuar nga bosi i punësimit dhe sekserët e tij.

Si rrjedhojë e kësaj cilësia e arsimit ka rënë për toke, dhe sot do të mund të shohim përmisim të gjendjes në arsim vetëm nëse më shumë së gjysma e sistemit si tërësi përmbyset dhe fillon nga e para gjithçka. Nëse do të mendohet të shkohet në mënyrë të pjesshme të sanohen dëmet, kjo është e sigurt njëqind për qind që nuk arrihet.

Për shkakun se aq të thella janë matrapazllëqet e dallaveret sa që edhe fija është vështirë ti gjendet, një mësimdhënës me gjuhë frënge ka dhënë informatikë, e një profesionist tjetër i profesionit është mbajt larg punësimit dhe mundësisë së dhënies mësim.

3. Drejtor shkollash të mesme e fillore nëpër fshatra e qytete, drejtor çerdhesh, zëvendës drejtor nëpër institucione shkolle qoftë ato të ulëta, të larta, çerdhe etj, janë keqpërdorur dhe në vazhdimësi përparësia gjithnjë ka qenë e njerëzve partiak, e kurrë hiç e atyre meritor.

4. Punësime me qindra mësimdhënës e mësimdhënëse pa respektuar asnjë kriter janë zgjedh e përzgjedh në vazhdimësi dhe në koherencë pa ndal asnjëherë, duke mos ju frikësuar kurrë shkeljes së ligjit.

5. Transfere të mësimdhënësve kah kanë mundur, nga shkolla në shkollë, prej qytetit nëpër fshatra i kanë dërguar plotë mësimdhënës vetëm e vetëm që nuk i përkasin subjektit qeverisës, dhe si rrjedhojë e kësaj ata nga fshatrat i kanë sjellë në qytet.

6. Shumica e lëndëve në përzgjedhjen e personelit në arsim, qoftë drejtor, zëvendësdrejtor, mësimdhënës, sekretar, zyrtar ligjor, psikolog, bibliotekist janë tashmë nëpër gjykata.

7. Po ashtu një numër të madh të konkurseve gjykata i ka gjet fajtor duke vërtetuar se është shkelur ligji dhe normativi përgjatë përzgjedhjes se drejtorëve e zëvendësdrejtorëve, mësimdhënëseve dhe sekretarëve, drejtorëve të çerdheve e personelit të çerdheve.

8. Shkelje janë bërë edhe në krijimin e komisioneve për vlerësimin e kandidatëve për mësimdhënës, drejtor, zëvendës drejtor, zyrtar ligjor etj.

9. Shkelje asnjëherë pa ndal edhe në zëvendësimet e mësimdhënësve e në ndarjen e orëve. Në një shkollë nuk ka edukatë fizike fare, mirëpo ka mësimdhënës që ka orë atje, ose që në një shkollë për më shumë se 8 vite drejtori ruan vendin e tij të punës.

10. Drejtoria, përkatësisht komuna nuk e ka ndarë drejtësinë dhe si rrjedhojë as nuk e ka përfillur dhe zbatuar ligjin në shumë raste.

Këto gjëra tashmë po dalin sheshit se gjykata ka dhënë vendimet e drejta dhe obliguese për vënien e drejtësisë në vend, mirëpo komuna i ka neglizhuar dhe ka luajtur me faktorin kohë. Njerëzve, mësimdhënësve, profesionistëve ju ka bëre shumë dëm, dhe po ashtu vet ka humbur shumë duke dëmtuar buxhetin e komunës.

Pra duke dëmtuar taksat tona për mos punën e tyre, dhe mos zbatimin e ligjit.

11. Është tmerruese fakti kur njiheni nga afër se sa lënda është në proces të pritjes së vendimeve të gjykatës. Sa profesionisti/ja e intelektuali është duke e kërkuar dhe pritur të drejtën nëpër gjykata !!!

12. Mendohet që asnjë drejtor në asnjë institucion arsimor sot nuk është apolitik, të gjithë janë të emëruar nga politika.

Ev, ev!
Nejse!

Vazhdojmë!

Imagjinojeni zyrat ligjore të komunave dhe DKA-ve kanë dhënë verdiktet e tyre se përzgjedhja e  kategorive që kanë kaluar nëpër konkurse është bërë sipas ligjit, e gjykata i ka rrëzua dhe po i rrezon një pas njësh. Pra duke anashkaluar drejtësinë, e duke shkelur të drejtat e dikujt tjetër në të mirën e militantit.

Po, kishte dhe ka një mekanizëm akoma në ketë vend që po mbron lirinë dhe të drejtën njerëzore.

Një humbje e lëndës në gjykatë komunës i kushton 75-120 euro. Mundet që në gjykata të jenë më shumë se 150 lëndë, dhe për rrjedhojë komuna humbet me mijëra lëndë vetëm e vetëm për të futur dhe mbajtur jashtëligjshëm punonjësit dhe vartësit politik në arsim.

Pra, jashtëligjshëm janë punësuar militantët, dhe kjo në kurriz të dikujt tjetër.

Dikujt i janë shkelur krejtësisht të drejtat për të ushtruar profesionin prej mësimdhënësi, dhe profesionisti në vend që të shërbej rritjes së cilësisë dhe përgatitjen e nxënësve plotësisht në mënyrë profesionale, ai duhet të merrej me gjykata duke kërkuar drejtësi për vendin e punës së tij, ev bre!

Tash kontingjentit prej më shumë se 2 mijë mësimdhënësve që do ti paguhen punonjësve arsimor shujtat dhe transportin, do ti kushtojnë komunës në miliona euro, e kjo kishte mundur të kryhej fare lehtë pa shkuar në gjykatë hiç.

Edhe pse dihej që lëndët humben dhe se gjykata do të vendos në favor të drejtësisë, komuna lë që kur vinin vendimet e gjykatës se lënda është humbur nga komuna, dhe obligonte që komuna duhet zbatoj vendimin dhe ta respektoj ligjin duke i dhënë paditësve të drejtën në proceset e stërzgjatura gjyqësore, ajo vazhdonte me ankesa të shkallës së lartë, khuuu çfarë papërgjegjësie duke krijuar shpenzime shtesë.

Eh në vend që të mbyllen humbjet dhe rrjedhjet e mëtutjeshme të mjeteve materiale e financiare të komunës, ajo ngritët dhe vazhdon ankesat duke i dërguar lëndën nëpër gjykatat e apelit.

Shpenzime shtesë, e për cilën arsye?

Vetëm që ti bëjë keq dhe dëm qytetarëve të devotshëm e profesionist, e për ti kënaqur apetitet egoiste të dibiduzeve dhe puthadorëve që kontribuonin për subjektin politik.

Qysh kanë thënë pleqtë, çka huptë mos u gjet, e ne po themi çka shkoftë mos u ktheftë!

Kurse natyrshëm përgjegjësia do të kërkohet medoemos, jo për hakmarrje e revansh politik, por për zbatimin e ligjit, duke sjellë drejtësinë duke zbatuar ligjin e duke e vendosur atë në binar?

Për këtë arsye kur padrejtësia shndërrohet në ligj, rezistenca bëhet detyrë, edhe atë përhershme.

Filozofia mbi të drejtën thotë se: evolucioni është ligji i jetës, numri është ligji i universit, e uniteti është ligji i zotit

Pra, nuk duhet vetëm reforma në arsim. Duhet një pastrim gjeneral nga strukturat e instaluara krejtësisht si rrjedhojë e militantizmit partiak dhe politik.

PS: Po sikur padrejtësia të ishte e fokusuar te vetëm DKA-ja?

Pastaj pse mos me hy në greva, a?

____

ESH
____________
publikime.com

By Emrush