• Thu. May 9th, 2024

Publikime

by Emrush T. Shkodra

Diplomacia Kosovare!

ByEmrush

May 20, 2021

OK!

Diplomacia Kosovare po shkarkohet, dhe përmes kësaj po demaskohen misionet e dështuara totalisht të konsullatave tona në ruajtjen e reputacionit tonë si republikë, humbjen e mbështetjes sonë nga aleatët, dhe zbehjen e raporteve karshi nesh të shumë shteteve mike.

E para:

Kosova përgjatë viteve të 90-ta kishte arritur të krijonte një korridor miqësor më shumë shtete botërore, e sidomos ato evropiane.

Lëvizjet e urta dhe mendjet e holla të mençura kishin bërë që aleatët tradicional dhe mbështetës të Serbisë të kthehen dhe rreshtohen krah shqiptarëve.

Një aleancë e terë demokratike që në vehte përfshinte shtetet më të fuqishme ekonomike dhe ushtarake. Kishin marr obligim çlirimin e një populli që po vuante nga persekutimet, dëbimet, vrasjet nga një shtet marionetë që republikat e saja po shkapërderdhin duke paguar me lumin e gjakut njerëzor.

E dyta:

Qytetarë të shumtë që jetonin jashtë kufijve të Kosovës ishin të organizuar në forma të ndryshme në sensibilizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, duke bëre që vuajtja njerëzore shqiptare të ndahet me pjesën tjetër të botës.

Kjo formë e organizimit ishte plotësisht strukturë e paorganizuar shtetërore, megjithëqë  kishte lëvizje të ndryshme që tashmë kishin ndërtuar një infrastrukturë duke aluduar që është politike, por në fakt shumica e tyre operonin si shoqata, klube etj.

Pra, ishte arritur shkalla me e lartë e përfitimit të miqësive, të shteteve nga ku jetonin bashkatdhetarët tanë.

Ata përmes artit, muzikës, kulturës, fuqisë punëtore, studimeve ishin sinkronizuar me qytetarët në shtetet përkatëse e ku pastaj trysnia për te autoritetet e atyre shteteve ishte rritur, duke bërë që ata në fund të kthejnë kokën kah Kosova.

E treta:

Rrugët hapeshin për personalitete që dilnin nga Kosova për të rrëfyer situatën politike dhe sociale në vend, pa shpenzuar shumë, dhe pa pasur investime të mëdha në njerëz dhe personel që Republika jonë mund ti kishte ata si obligim ku do duhej të mbulonte shpenzimet e secilit që orvatej të bënte ca punë të mirë për atdheun.
Por, këto shpenzime sërish binin mbi supet e punëtoreve dhe bashkatdhetarëve tanë në të gjitha shtetet ku ata operonin dhe jetonin.

E katërta:

Bazuar mbi këtë trysni të qytetarëve tanë kishte sjellë aleancën më të madhe të njohur në historinë botërore, që të aktivizojnë një mekanizëm të tërë shtetesh, ku duke anashkaluar Këshillin e Sigurimit si organi më i lartë e shteteve të pavarura, filluan të hidhnin bomba mbi një shtet marionetë, një krijesë fantazmë gjakpirëse e cila duke shfrytëzuar fuqinë e saj që e mbizotëronte karshi mbrojtjes sonë, bën që shqiptarët me ndihmën e këtyre miqve tanë të çlirohen njëherë e mirë nga falangat cetinke.

Duke bërë që humbjet shqiptare që paguan çmimin e lirisë edhe sot e kësaj ditë të ndjehen sikur të kishin ndodhur në këtë kohë.

Epilogu

Sot, 21 vite pas çlirimit të vendit, 13 vite pas bërjes shtet duke shpallur vendin republikë të pavarur dhe demokratike, jemi të barazuar pothuajse me vitet e 90-ta.

Si erdhi kjo?

Idealistët më të mëdhenj funksionimin e çlirimit dhe bërjes shtet e kishin menduar ndryshe!

Ata kishin menduar që baza ishte ndërtuar herët, ishin krijuar lidhjet dhe raportet ndër njerëzore, artistike, ekonomike e në shumë raste edhe politike, vetëm se rrugës së trasuar shteti i ri do të jetësonte ekzistencën dhe gjallërinë e tij.

Por jo, kjo nuk ndodhi!

Ndërkombëtarët ndërtuan një administratë që më shumë kishte të bënte me sigurinë dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit tonë. Ata krijuan institucione nga fillimi, duke përdorur vendoret që të behën pjesë e ndërtimit të institucioneve, respektivisht ndërtimit të shtetit.

Keq apo mirë do ti lihet kohës kjo, por se ata krijuar një bazë të mirë për funksionimin normal të segmenteve të caktuara që përbejnë një shtet normal.

Ndërkombëtarët etapën e tyre historike e kaluan më plotë sukses, dhe transferimin e kompetencave filluan ta bëjnë në mënyrë graduale duke e ditur dhe njohur mentalitetin tonë dhe mungesën e përvojës në ndërtimin dhe rritjen e republikës.

Pa hyrë në detaje brenda ndërtimit të institucioneve nga vendorët, po marrim si pretekst keq menaxhimin e shtetit nga hapësira e jashtme dhe diplomacia e vendit tonë.

Reflektimi dhe animi partiak u shfaq edhe në diplomacinë e shtetit më të ri të krijuar në 2008. Filloi një etapë në diplomacinë shqiptare, dhe caktimi i njerëzve në detyra që do e përfaqësojnë shtetin jashtë kufijve të saj, ishte plotësisht degraduese.

Konsull të shumtë, shërbyes të caktuar, individë e analfabet të diplomacisë u emëruan në pozitat të larta të ambasadave tona. Në mënyrë objektive shihnim dhe kontribuonin në degradimin dhe humbjen e reputacionit tonë në vendet ku më parë kishin arritur kulmin e miqësisë.

Vlente ajo thënia “ma mirë mos me të pas njoh çfarë koke”.

Padrejtësisht republika e re përjashtoi dhe nuk i përfshiu shumicën e personaliteteve që kishin kontribuar në sensibilizimin dhe ndërkombëtarizmin e çështjes shqiptare në shtetet perëndimore. Ata ishin lënë jashtë bile as nuk i kishin përfshirë në administratë, krejt kjo ishte bëre duke dërguar personel nga Kosova.

Ishin dërguar nëpër ambasada diplomatë që fare se kishin idenë se si të ruanin miqësinë me ato që shtete që tashmë ne kishim raporte shumë të mira, e mos të flasim në krijimin e miqësive të reja.

Për 13 vite rresht ne kemi dërguar dibiduz në diplomacinë e shtetit tonë, duke menduar që të dërgojmë magjistra e doktorë do të bëjmë diçka, ne vetëm sa degraduam reputacionin e republikës sonë, sepse ata ndërkombëtarët tashmë e dinin edhe sistemin tonë arsimor, dhe arritjen e titujve.

Plotësisht ne rrënuam raportet miqësore me shumicën e shteteve që ishin pjesë e çlirimit të vendit tonë.

Kosova dërgoi diplomatë që strukturën e tyre e kishin ndërtuar në shtetet perëndimore duke transferuar metodologjinë dhe mentalitetin vendas ballkanik, që në shumë shtete kjo nuk përshtatej, dhe për rrjedhojë investimi në këta diplomatë filloi të ju kthehej bumerang për të keq.

Sot, shumë shtete le që janë pishman, por ndjejnë keqardhje dhe kanë filluar edhe ti kërkojnë falje Serbisë.

Diplomacia e republikës sonë, pothuajse në asnjë shtet nuk arriti ta ruaj miqësinë e krijuar si rrjedhojë e bashkatdhetarëve tanë, në të shumtën e rasteve vetëm sa e dëmtoi edhe më shumë.

Diplomacia jonë vepron sikur ajo të përfaqësojë vetëm interesin e subjekteve në ato vende ku janë hapur këto ambasada.

Ajo mendon që duhet të ju shërbejë vetëm qytetarëve të saj, dhe përball tyre të tregoj arrogancën si mënyrë institucionale të trashëguar nga Kosova.

Këta nuk kanë përmbushur kriterin kryesor të diplomacisë, e që është krijimi i raporteve sa më të mira dhe të ngushta me shtetet ku operojnë!

Diplomatët tanë shumica prej tyre kanë krijuar mëri në vendet që punojnë, e aq më shumë ndikimi i tyre nuk është vërejtur dhe nuk vërehet fare.

Sot, ne kemi zbeh raportet me të gjitha shtetet, e që më shumti ne kemi prishur ekuilibrin e ndërtuar miqësor me shtetet më mike tona, duke përfshirë edhe Amerikën.  

Prandaj thuhet nga Krausi se diplomacia është një lojë shahu, në të cilën duhet luajtur me mjeshtri për ti mbajtur miqtë afër në të mirën e atdheut tuaj.

Nuk mund të përjashtohet nga integrimi institucional diplomatik një person që tërë jetën ka vepruar dhe kontribuar në lidhjen miqësore mes republikës sonë dhe vendit ku jeton.

____
ESH

____________

publikime.com

By Emrush