• Wed. Dec 4th, 2024

Publikime

by Emrush T. Shkodra

Darka e Lamës

ByEmrush

Dec 3, 2024

Nëse futesh në internet dhe kërkon më shumë për Darkën e Lamës, origjina, lashtësia, zakoni e tradita e saj, do të gjesh informacionin për një festë pagane e kryemotit, e cila ka filluar të manifestohet nga shqiptarët si trashëgues të traditave të lashta.

Historia e kësaj feste është shumë e vjetër ndër shqiptarët, dhe daton që nga koha e ilirëve, që nga të parët e lashtë të popullit shqiptar. Në darkën e lamës ku shtrohej sofra në shenjë falënderimi ndaj natyrës e Perëndisë, për frytet bujqësore, të cilat bujku në vjeshtë i mbledh, i korr dhe i ruan në hambar, në shenjë falënderimi ndaj Perëndisë e natyrës për frytet e begatshme bujqësore të vitit përkatës.


Pra, Darka e Lamës mund të njihet edhe ndryshe me variacione gjuhësore të njohura si “Darka e fushës”, “Darka e bereqetit”, etj.

Quhet “Darka e Lamës”, sepse “lama” ka qenë vendi i rrafshët në fshatra malore, ku janë shirë të korrat, kryesisht të misrit. Ndërsa në fushë ka marrë emrin “darka e fushës”, pasi janë vjelë të mirat e saj, kryesisht të grurit.

Festa pasqyron kremtimin e përfundimit të të korrurave të drithërave, e të korrave vjeshtore, misrit dhe grurit zakonisht, duke shtruar për të festuar vitin e bereqetshëm.

Festa ka për qëllim rrumbullakimin për një përfundim të bollshëm në ushqime duke rikujtuar kohërat e vjetra të skamjes, dhe njëkohësisht për të qenë falënderues ndaj perëndisë për të mirat që i kanë mundësuar popullit.

Darka e lamës, dita shqiptare e falënderimeve

“Darkës së lamës”, “Darka e fushës” apo “Darka e bereqetit”, cilësohet edhe si dita shqiptare e falënderimeve

Simbolika po ashtu e kësaj feste është se bujqit e fshatarët mblidheshin bashkë, jo vetëm për të shijuar ushqimet e tokës së tyre, por edhe si festë falënderimi për të mirat që u ka dhuruar brenda një viti dhe për t’u lutur që në vitin tjetër të kenë edhe më shumë bereqet, të mira nga toka.

Zakonisht në darkën tradicionale përgatiteshin; shtalba të pjekur e kallamoqa të zier, hashure, fasule,  patate, kunguj të zier, petulla, mazë të zier, gatime me brumëra të ndryshëm si; pogaçe, pite me rrathë, kërlana me rende, flija e vakërrime, çervish e përshesh me kos e tambël, pekmez dhe reqelna me rrush e me pemë të ndryshme, turshi, etj.

Kjo festë përgjithësisht simbolikën tradicionale të kremtimet e ka në fund të çdo tetori, ndoshta dikush mund të jetë edhe më specifik duke thënë se është data 24 tetor.

Si festohet sot?

Secili në mënyrën e vet dhe në kohëra që ju përshtaten liderëve dhe autoriteteve festojnë Darkën e Lamës.

Dikush në tetor, dikush në nëntor, dikush në dhjetor.

Feston presidenca, feston ministria, kryeministria, bile tash kanë filluar dhe kryetarët e komunave me kremtua si festë.

Festohet vend e pa vend, kohë e pa kohë…

Kremtohet nëpër restorante, kremtohet me mish e pije të gazuara, alkoolike, duke shoqëruar me pije të kohës moderne (shisha, cigare elektronike etj).

Të kujtojmë një proverb humoristik teksa tregohej për kohërat e shkuara se si dikur popullata nuk kishte bukë për të ngrënë e ushqeheshin me mish, e kur nuk kishte ujë me pi e pinin birra.

Siç rëndom çdo gjë që bastardohet në këtë vend, edhe kjo simbolikë ndoshta e vetme shqiptarë që respekton perëndinë për bereqetin dhe të mirat që fushat dhe lama i dhanë popullit.

Tavolinat përplot të mbushura me ushqime të larmishme të shoqëruara me pije të shtrenjta, duke mos menduar se dikush ne këto kohë mundet vetëm ti ëndërron, apo shijon përmes fotove ato ushqime!!!

Mesazhi!

Ngadalë, por sigurt po shndërrohet “Darka e Lamës” në darkën e të pasurve, korrupsionistëve dhe politikanëve!

Në fakt do të duhet të ishte e kundërta, lexo lartë!

____
ESH
____________
publikime.com

By Emrush