Shkruan: Emrush T.Shkodra
Nuk mund t’i zgjedhësh problemet përmes mjeteve dhe me njerëzit të cilët i ke përdor për ti krijuar ato, kishte thënë Einstein.
Kthimi i besimit të qytetarëve ndaj shtetit dhe institucioneve të saja dikush mund ta kishte llogarit imagjinatë dhe një mision plotësisht të paarritshëm!
Por, u pa që vendi mund të ketë shpresë, rrjedhimisht njerëzit mund të gëzojnë të drejtat e tyre, duke mos u cenuar nga një shtresë e caktuar e njerëzve oligark dhe të pushtetshëm, por mund të jetësojnë ëndrrat e tyre edhe nëse nuk i takojnë ndonjë subjekti politik.
Ndryshimi elastik mbi rutinën institucionale tashmë kishte marrë formën me fillimin e 2020-ës, dhe nuk besoj që ky elan do të mund të ndalet më. Çlirimi shpirtëror duke pasur besimin e madh në të mirat që të sjell shteti do të vazhdon nëpër rrugën e trazuar tashmë.
Frika e ndëshkimit dhe gjobës mbi çdo sferë jetësore si duket ka marr teposhtën, dhe të mirat për një mirëqenie dhe barazi për qytetarët e Kosovës po duken në horizont.
Më gjithë ndërrimin e pushtetit në kohën më të ligshtë për qytetarët e Kosovës, dhe pushteti i cili u morr mbi tavolinë duke përdorur zbrazëtirat ligjore dhe duke shfrytëzuar fuqinë e pushteteve të dominuara nga animet politike, besimi se ndryshimi mund të ndodh nuk u zbeh.
Mbi gjithë ketë qytetarët e panë se ka shpresë në këtë vend, dhe që ajo mundet të ju kthehet qytetarëve, ku si rrjedhojë mund të planifikojnë qëndrimin dhe jetën e tyre në Republikën e Kosovës.
Jo profesionistët udhëheqës të institucioneve
Kronologji:
Se si është zhvilluar procesi i qeverisjes dhe punësimit në Kosovë që nga paslufta kjo gjë tashmë është e ditur. Ndërmjetësimet familjare, obligimet ndaj personave të pushtetshëm, punësimi partiak e militant, punësimi përmes korrupsionit, shantazhi, joshjet ndaj gjinisë kanë qenë disa nga format për të arritur një vend të punës në institucionet publike.
Pra ky avaz e ka përcjellë vendin tonë pothuajse në të gjitha nivelet qeverisëse, agjencionet e shtetit, organizatat qeveritare, ndërmarrjet publike etj.
Si është organizuar hierarkia nëpër institucione për ketë gjë njerëzit kaherë kanë shkruar, kanë folur e janë ankuar.
Bile ata që kanë pasur rastin të punojnë nëpër institucione e kanë ndjerë në lëkurën e tyre nga afër çka do të thotë të jesh një profesionist dhe ti nënshtrohesh dikujt që nuk është as i kualifikuar për pozitën e caktuar.
Kjo ka filluar nga rekrutimi për pranim në një vend të punës, ta zëmë një njëri më shkollë të lartë e ka intervistuar një inxhinier me tituj mr ose dr për të shërbyer në një dikaster të caktuar, ose një i kualifikuar me gjuhë të huaj e ka intervistuar një ekonomist.
Ky menaxhim ka dal të jetë tejet negativ për zhvillimin e vendit, duke pasur parasysh obligimet dhe kompetencat që ja ka dhënë pozita udhëheqëse sipas ligjit.
Këta njerëz që kanë udhëhequr deri më tani, kanë pasur edhe fuqi ekzekutive, dhe buxhet të hyrave nën menaxhim.
Këta kanë qenë të shtrirë në të gjitha poret e jetës, institucionet e shtetit, e ndërmarrjet publike, zyrat për planifikime, organizatat për hartimin e planeve zhvillimore etj.
Humbjet ekonomike nga keq menaxhimi
Atëherë nga mos dija e tyre del se buxheti i shtetit ka pësuar humbje kolosale zingjirore, ku në të shumtën e rasteve as këshilltarë profesionist nuk kanë marrë afër veti, por kanë vazhduar të operojnë me mëndje të cekët, për aq sa kanë pasur përgatitje profesionale, në të shumtën e rasteve me shkollë të mesme, ose shkollë të lartë.
Ndër vite ministritë, agjencitë, ndërmarrjet shtetërore, korporatat janë udhëhequr nga njerëz jo profesionist të emëruar përgjithësisht nga politika, nepotizmi i theksuar dhe lidhja nostalgjike miqësore.
Këto gjëra filluan të ndryshohen, dhe lidhjet e kapura për ulëset e pushtetit duke u shfrytëzuar ato në mirat individuale, partiake dhe klanore që nga pas lufta, filluan të lëkundet dhe frika nuk ishte te pushteti i ndërruar duke ardhur një i ri, por nga frika e se ata nuk i përkisnin vendit të uzurpuar tashmë, dhe mos përgatitja profesionale që kishin.
Në vend që të ju hapet rrugë profesionistëve dhe njerëzve adekuat, u barrikaduan dhe luftuan edhe me rezervat e fundit duke mbrojtur pozitat e tyre, e kështu duke u bërë pjesë e rrëzimit dhe ndërrimit të pushtetit.
Paramendojeni në çfarë pike kemi ardhur, duke e luftuar njëri tjetrin në forma më të paskrupullta, dhe duke mos bërë as më te voglin hap përpara më gjithë këtë makineri të intelektualëve, që prisnin te dera duke u orvatur që të bëhen pjesë e historisë së ndryshimit në të mirën e qytetarëve pas pothuajse 20 vitesh!
Njerëz profesionist të fushave të ndryshme në vend nuk ju është dhënë mundësia, e nuk po ju jepet as sot, sepse struktura e vendosur përgjatë 20 viteve nuk po mund assesi të lirohet nga vorbulla inatçie shqiptare.
Pastaj njerëzit habiten pse nuk pati përparim në vendin tonë!?
Mungesa e profesionistëve ne vendet kyqe bën që pothuajse asgjë të mos vihet në vendin e duhur, dhe si rrjedhojë e kësaj gjithçka ka një përfundim të gabuar dhe fatal.
Pseudo profesionistët janë futur gjithkah, janë në akademi, janë në universitet, janë në institucione publike, janë në qeveri, ministri, janë në shkolla, në komuna, ushtri, polici, administratë, inxhinieri, ndërtimtari, gjyqësi, ekonomi janë gjithandej.
Gjysmë intelektual që funksionojnë dhe marrin obligime të mëdhaja që profesionistët e vërtetë frikohen të ju hyjnë atyre projekteve, e këta tipat pa mëndu dy herë futën, dhe në fund rezultatet fatale po thuajse në gjithçka dhe kudo!
Kemi ndërtuar një sistem që sot ne krenohemi me atë, e që në fakt do të duhet të turpëroheshim.
Në të gjitha sferat kemi ndërtuar, dhe vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme shkel e shko, duke anashkaluar profesionistët real vetëm e vetëm pse nuk i përkasin ndonjë spektrave politike që ka qeverisur tash e 20 vite.
Dhe ata ishin injoruar vetëm pse vijnë nga taborët e reja politike që kishin për synim ndryshim e qeverisjes dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike dhe shtetërore.
Media në funksion të pakicës
Në disa raste (përjashto disa) lirisht mundemi të themi se është situatë paradoksale dhe shumë shqetësuese se si media akoma është përkrah një elite pakicë, që për një kohë të gjatë kanë shpërdorur, kanë zhvatë, kanë përvetësuar të mirat e këtij vendi për vete, familjen dhe rrethin e tyre të ngushtë. Duke mos ju lënë shpresë intelektualëve, profesionistëve dhe qytetarëve as imtësinë më të vogël për jetë në këtë vend.
Megjithatë misioni fisnik, gazetaria do të duhej të jetë në shërbim të atdheut, duke inkorporuar mirëqenien e qytetarëve si baza e zhvillimit të një shoqërie të hapur dhe demokratike.
Njerëzit do duhej të kuptojnë njëherë e mirë, pa anime e duke qëndruar me këmbë në tokë, se rinia e njerëzit e mirë po dëshirojnë një vend prosperues, një vend ku jetojnë të gjithë të barabartë, një vend ku mund të lexosh diçka të mirë, e jo për ditë të lume të hasësh në tituj korrupsioni, një vend ku vidhet nga të katër anët dhe në të gjitha poret, në një vend ku të humb shpresa edhe për jetesë.
Pra, njerëzit dhe lëvizjet nuk po ngritën si pasojë e ideologjisë dhe liderizmit, por po ringjallën si pasojë e ndëshkimit të atyre që e kanë nëpërkëmbur jetën dhe mirëqenien qytetare tash e disa vite.
Ndryshimet do të vijnë pashmangshëm si rrjedhojë e besimit të qytetarëve në një qeverisje tjetër fare nga ajo që kemi parë e po shohim deri më sot.
Shpresa nga ndryshimi i rutinës institucionale dhe qeverisje të Republikës kanë dhënë shenjat fillestare, ajo do të vazhdon deri në çlirimin e plotë dhe ardhjen e intelektualëve dhe profesionistëve në vendet udhëheqëse dhe menaxheriale. Nuk ka kuptim të marrim në punë njerëzit më të zotë dhe tu themi ç’duhet të bëjnë.
Ne duhet të punësojmë njerëz të zotë pikërisht që ata të na tregojnë se ç’duhet bërë (SJ)!
Ndërtimi i një të ardhme të ndritur dhe shpresëdhënëse për gjeneratat dhe fëmijët tanë, është obligim moral, intelektual dhe patriotik të arrihet dhe të bëhet.
Nuk guxojmë të lëmë ashtu si e kemi gjetur apo ashtu siç është sot, prandaj nëse je për ndryshim në qeverisjen e vendit, nuk mund të kërkosh rutinën e njëjtë siç ka ngjarë deri më tani.