Se si është zhvilluar procesi i punësimit në Kosovë që nga paslufta kjo gjë tashmë është e ditur. Ndërmjetësimet familjare, obligimet ndaj personave të pushtetshëm, punësimi partiak e militant, punësimi përmes korrupsionit, shantazhi, joshjet ndaj gjinisë kanë qenë disa nga format për të arritur një vend të punës në institucionet publike.
Pra ky avaz e ka përcjellë vendin tonë pothuajse në të gjitha nivelet qeverisëse, agjencionet e shtetit, organizatat qeveritare, ndërmarrjet publike etj.
Si është organizuar hierarkia nëpër institucione për ketë gjë njerëzit kaherë kanë shkruar, kanë folur e janë ankuar.
Bile ata që kanë pasur rastin të punojnë nëpër institucione e kanë ndjerë në lëkuren e tyre nga afër çka do të thotë të jesh një profesionist dhe ti nënshtrohesh dikujt që nuk është as i kualifikuar për pozitën e caktuar.
Kjo ka filluar nga rekrutimi për pranim në një vend të punës, ta zëmë një njëri më shkollë të lartë e ka intervistuar një inxhinier me tituj mr ose dr për të shërbyer në një dikaster të caktuar, ose një i kualifikuar me gjuhë të huaj e ka intervistuar një ekonomist.
Ky menaxhim ka dal të jetë tejet negativ për zhvillimin e vendit, duke pasur parasysh obligimet dhe kompetencat që ja ka dhënë pozita udhëheqëse sipas ligjit.
Këta njerëz që kanë udhëhequr deri më tani, kanë pasur edhe fuqi ekzekutive, dhe buxhet të hyrave nën menaxhim.
Këta kanë qenë të shtrirë në të gjitha poret e jetës, institucionet e shtetit, e ndërmarrjet publike.
Atëherë nga mos dija e tyre del se buxheti i shtetit ka pësuar humbje kolosale, ku në të shumtën e rasteve as këshilltarë profesionist nuk kanë marrë afër veti, por kanë vazhduar të operojnë me mëndje të cekët, për aq sa kanë pasur përgatitje profesionale, në të shumtën e rasteve me shkollë të mesme, ose shkollë të lartë.
Ndër vite ministritë, agjencitë, ndërmarrjet shtetërore, korporatat janë udhëhequr nga njerëz jo profesionist të emëruar përgjithësisht nga politika.
Dhe këta njerëz kanë menaxhuar mbi 600 milion euro në vit para të taksapaguesve, duke marrë vendime milionëshe pa qenë të gatshëm të kuptojnë rëndësinë dhe ndjesinë e tyre.
Pastaj njerëzit habiten pse nuk pati përparim në vendin tonë!?
Source: kallxo. com
____
ESH