Shpesh herë na bien të dëgjojmë fraza të ndryshme se si shqiptarët shfaqin njohuri të përgjithshme. Siç kishin me thënë gjithçka dinë nga pak e asnjë segment mirë dhe me profesionalizëm.
Por, tash e shohim që ndoshta edhe nuk kanë faj. Kjo praktikë e mos ushtrimit me profesionalizëm në asnjë pore të jetës ka bërë që qytetarët e vendit të detyrohen të punojnë ashtu siç jua merr mendja e tyre.
Kush ka mundur të nxënë një pozicion publik, ndoshta që nga hierkia më e lartë e deri në nivelet më të ulëta të sektorit publik, ka vazhduar një avaz të njëjtë. Duke bërë kështu që përveç mungesës së profesionit përkatës, të ideohen, projektohen dhe zbatohen në terren projekte që shumë herë njerëzit më të drejtë hamendësohen nga veprimet e tilla të autoriteteve duke menduar që ndoshta me inat bëhen dhe zbatohen projekte që plotësisht janë jashtë rregullave dhe standardeve që do të lehtësonin jetën e qytetarëve.
Prandaj, vijmë në ketë konkludim se në këtë vend asgjë askund nuk është në vendin e vet. Dhe, përtej kësaj sikur ti vinim një vijë të kuqe dhe ta ndanim të kaluarën me të tashmen duke bërë kështu që dikur punohej kështu, kurse tash do të punohet me standardet Evropiane, ku në fokus është gjithnjë jeta e qytetarit dhe mundësia që ai të jeton dhe vepron lirë, mirë dhe me lehtësi.
Kemi hasur nëpër projekte të ndryshme të qyteteve tona, kur pothuajse secili projekt ka dështuar të jetë bonus për jetë e qytetarëve. Mjafton të shihni qytetet e vendit, pa dallim ku implementohen projekte me TROTUARE të larta, kunja (kungja), vazo të çimentos, e plotë të tilla projekte sheh përditë që realizohen nga autoritetet e vendit, zakonisht ato komunale.
Përderisa në Zvicër ta zamë si shembull konkret, tashmë trotuaret hiqen dhe pothuajse zbatohen projekte rrugë-trotuar në një dimension. Hiqen dhe nuk zbatohen kunja (kungja) me ngjyra të verdha. Ndërtohen sheshe e trotuare duke larguar nga qendrat e qytetit veturat, për shkakun e vetëm të emetimit të gazrave dhe tymit që shkaktojnë një ndotje të ambientit enorm.
Mjafton të hyni në google dhe të kërkoni për qytetet me ndotjet më të mëdha në botë, shpesh herë qytetet tona radhitën ndër 10 qytetet me ndotjen më të madhe.
Bile, në shumë raste në qytetet Evropiane janë vendosur shenja që tregojnë edhe nivelin e ndotjes se ambientit, kjo praktikë është edhe nëpër autostrada, ku shënjimi horizontal tregon të kuqen, të verdhën dhe të gjelbrën.
Dhe këtu sërish vazhdojnë të projektohen dhe implementohen projekte që ngarkojnë qytetin, duke ju hapur mundësi veturave që të hyjnë sa më shumë në qytet.
Do të ishte shumë më mirë që të vendosën semaforë nëpër hyrjet e qytetit, duke mbajtur kështu kontrollin e plotë se sa vetura hyjnë në qytet dhe sa dalin.
Nejse, ku dimë ne çfarë dhe përse shërbejnë këto gjëra!?
Trotuaret, kunjat, vazot e çimentos e gjëra të këtilla nuk do të duhej të ishin më as pjesë e ideve të qeverive, e leje më me vazhduar akoma me u praktikuar në qytete.
Autoritetet nuk duhet të behën pengesë për qytetaret e rëndomtë, nënat me karroca të fëmijëve, invalidët, personat me nevoja të veçantë dhe më karroca.
Autoritet nuk duhet që me veprimet e tyre të behën pengesë e zhvillimit normal të bizneseve, atyre duhet ofruar kushte të favorshme që do të mund të operonin, duke i bërë ata pjesë e jetës dhe rritjes së buxhetit të vendit (trotuare 20 cm, khuu).
Me kënaqësinë më të madhe thoshte një afarist një ditë se i kisha hequr shpenzimet për të gjithë ata që merren me projekte në të gjitha nivelet e autoritetit, duke i mbushur disa autobusa për ti dërguar nëpër qytete të ndryshme Evropiane e pse jo edhe nëpër shtete tjera të botës, një javë, dy javë apo sa të jetë nevoja, vetëm e vetëm që të shohin se ka diçka tjetër jashtë mendjes së tyre që duket se operon dhe funksionon vetëm në nivelet lokale.
Le të shohin nga praktika dhe të binden se nuk është diploma më pjesë e arritjes së standardeve demokratike e evropiane, por është praktika dhe forma për lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe taksapaguesve të shtetit.
Ne duhet të vetëdijesohemi se titujt e vendosur nëpër vizitkarta, nuk kanë të bëjnë asgjë me profesionalizëm, e aq më pak me zhvillimin e qytetit në frymën Evropiane.
Ka diçka më shumë se kjo!
Ka dikush që dinë më shumë…
Një proverb thotë se: “ai që hec shumë, dhe ai që lexon shumë, kanë një pikë të përbashkët”.
____
ESH
___________
publikime.com