• Wed. Apr 2nd, 2025

Publikime

by Emrush T. Shkodra

Kosova duhet të marr anë

ByEmrush

Feb 18, 2025

Bazuar në rrethanat politike që po zhvillohen në botë, e në veçanti me ardhjen e re të administratës së qeverisë amerikane, Kosova tashmë duhet të rreshtohet dhe të marr anë.

Bota nuk duket që do të ketë më polarizime duke relativizuar çdo ngjarje që ndodh në glob. Po vijmë në një situatë siç ishte dikur me ardhjen e presidentit Bush të riut në krye të Amerikës, kur thuhej se: “je me ne, ose je kundër nesh”.

Përfshirja e Amerikës dhe caktimin e vendit në konfliktin në mes Ukrainës dhe Rusisë jo rastësisht është caktuar Arabia. Me ardhjen e presidentit Trump në pushtet, Princi Arab tha se do të investojmë në Amerikë mbi 600 miliard dollar, dhe kur Trump në takimin e tij me princin tha se ndoshta duhet më shumë, princi u përgjigj se do të investojmë më shumë.

Politikat ekonomike dhe investime me një interes të përbashkët në mes Arabisë dhe ShBA-ve, kanë ndërruar dhe kahjen e negociatave për zgjidhjen e probleme në botë, me theks të veçantë asaj në mes Izraelit dhe Palestinës si dhe lufta në mes Ukrainës dhe Rusisë.

Gjendja në terren flet se Evropa përveç që po lihet anash, ajo sigurisht që do të humb edhe ndikimin e saj, e për rrjedhojë unioni do të dobësohet në vitet në vazhdim.

Evropa në përgjithësi ka treguar se nuk ka zgjidhje për konfliktet që ndodhin në gjirin e saj, dhe kjo u pa edhe me kërcënimin rus, ku edhe pse kanosej siguria e Evropës me pushtimin e Ukrainës, evropianët vazhdonin ti thonin Ukrainës se ne ju dërgojmë helmeta koke për mbrojtjen nga granatimet ruse.

Një gjë duhet kuptuar drejt dhe duke ndjerë rrezikun që po kanoset kundrejt Evropës, për faktin se Amerikanët po zhvendosin përqendrimin e saj si aleat të vetëm që mendohej se e kishin Evropën, dhe kjo ka bërë që në secilin segment, Amerikanët ishin ata që mbronin Evropën, dhe Evropa ishte ajo që përfitonte.

Një këshillë e mirë për Kosovën do të ishte që patjetër duhet të rreshtohen karshi Amerikanëve, dhe këtë u dashtë ta bëjnë në samitin e Munihut që u organizuar para dy-tre ditëve.

Por edhe tash nuk është vonë, Kosova dhe udhëheqësja e saj duhet të kuptojnë çartë se përfshirja e Amerikanëve dhe Rusëve kishte gjetur zgjidhjen e luftës së Kosovës, dhe kjo duhet të jetë alibi i mirë se: Kosova vetëm mund të përfiton me rreshtimin në krahët e aleatit më të sinqertë dhe të vetëm që e kanë, e ajo është Amerika.

Sot, Amerika nuk është vetëm aleat i shqiptarëve në përgjithësi e Kosovës në veçanti, ajo është garancë për sigurinë dhe ekzistencën e shtetit që po ndërtohet me shumë vështirësi dhe sfida.

Nuk është kohë kur autoritetet më të larta të vendit këshillohen për neutralitet në qëndrimet politike kundrejt rrjedhave që po ndodhin nëpër botë. Kjo është një këshillë e keqe.

Kosova duhet të marr anë. Kosova duhet të deklaroj haptazi që është në anën e Amerikës dhe është me Amerikën, dhe të mbroj këtë qëndrim pa ekuivokë, pa frikë dhe pa hezitim.

By Emrush