• Mon. Sep 16th, 2024

Publikime

by Emrush T. Shkodra

Fuqia ekonomike, ushtarake dhe politike

ByEmrush

Jul 19, 2024

Se është thënë para qindra viteve se shqiptarët po mbyten në dozat nacionaliste, kjo nuk do koment.

E kishte thënë Fishta, Konica, Noli, që ne po përkufizojmë me thënien e Konicës: Në shqiptarët s’marrim dot mësime: malet të tunden dhe të rikëllehen në nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mend këtë që po ua them: në njëqind vjet në vafshim si po vemi, do jemi aq poshtë sa sot.

Vuçic para disa javëve kishte dhënë një lajm të madh siç kishte thënë ai për popullin e tij gjenocidal serb se, Serbia ka zbuluar thesarin e çmuar që toka serbe përmban e ai është Litiumi.

Litiumi, një përbërës shumë i veçantë dhe i vetëm për bateritë dhe prodhimin e tyre.

Litiumi është i domosdoshëm për bateritë dhe tashmë jemi dëshmitarë të kohës se bateritë po futen në tregun industrial dhe teknologjik me një shpejtësi të madhe.

Sidomos në vetura, telefona, dronë, GPS, satelit, para disa ditëve u njoftua se aerospace Evropiane me seli në Holandë po teston aeroplan që mund të udhëtojnë nga 450 deri 800 km.

Gjermania si vendi kryesor në garën e fuqive më të mëdha në botë për prodhimin e baterive, duket që e ka nuhatur këtë mundësi përfitimi, dhe si njësi dhe fuqi Evropiane që e mban primatin, Gjermania në nivelet më të larta të shtetit Gjerman të kryesuar nga Kancelari Olaf Scholz po qëndron në Serbi.

Olaf Scholz para nisjes për në Beograd ku atje i kishin organizuar një pritje madhështore, kishte thënë se: Serbia është në interesin strategjik të Gjermanisë dhe BE-së, dhe për rrjedhojë duke vazhduar se megjithatë nuk mund të flitet për politikën serbe që destabilizon rajonin.

Marrëveshjet që mund të përfshijnë përmes nënshkrimeve që nuk jepen shumë detaje nga Gjermanët e aq më pak nga serbët, shkojnë në shuma 45 miliadershe për kohën 10-15 vite me mundësi të vazhdimit të bashkëpunimin në mes ndërmarrjeve gjermane dhe atyre serbe.

Çfarë po bëjmë ne?

Askush në vend që ka autoritet për të zhvilluar këtë vend nuk flet për një ekonomi të qëndrueshme ku mund të hulumtohen të gjitha mundësitë për zhvillimin ekonomik nga ku rrjedhimisht do të ngrisnim mirëqenien e qytetarëve dhe pasurisë së tyre.

Ne vazhdojmë të shohim me syrin e armikut secilin shtet jashtë kufijve të Kosovës.

Tashmë edhe Gjermania po etiketohet si shteti që nuk ndëshkon Serbinë porse në mënyra të tërthorta inkurajon Serbinë në rrugën e saj armiqësore kundrejt Kosovës, sepse në fakt Serbia më nuk paraqet rrezik kundrejt shteteve tjera fqinje.

Open Ballkan i kishte ndihmuar shumë në këtë drejtim, pasi përtej kësaj Serbia kishte arritur të fuste edhe Shqipërinë nën ombrellën e saj, duke realizuar një nga kushtet kryesore të BE-së, fqinjësinë e mirë.

Është e pashpjegueshme se këtë vend e ka kapluar dyshimi se a mund të ketë një ekonomist të mirëfilltë, një autoritet, një politikan apo një vizionar që thjesht do të mund të drejtonte qoftë një dikaster të vetëm në rrugën e rritjes ekonomike të vendit.

Si thuhet ajo fjala, i varfër, i vdekur, por krenar!

Një vend, një komb e bën të fortë e të qëndrueshëm tre gjëra:

1. Fuqia ekonomike,

2. Fuqia ushtarake

3. Fuqia politike…

Atëherë për të rritur reputacionin e një shteti do të duhej ti kishim tre këto kritere të forta që tregojnë fuqinë, e bazuar në këtë fuqi të tjerat pastaj do të radhitën si karakteri, dinjiteti, mosnënshtrimi, pavarësia individuale e kolektive.

Duket që ne nuk e kemi asnjërën nga këto, hëm!

Ne duhet të rrisim standardin ekonomik, të hulumtojmë dhe zhvillojmë vendin ekonomikisht, ne duhet të bëjmë shtetin tonë të pasur, dhe pastaj mund të ngrisim kokën dhe të krahasohemi më të tjerët.

Ne po pasurojmë individët, subjektet politike e jo shtetin, kjo është një rrugë që shpien në humnerë…

Fishta thotë “injoranca dhe krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija!

____

ESH

____________

publikime.com

By Emrush